Qeveria e Republikës së Kosovës sot ka zhvilluar një mbledhje elektronike.
Sipas njoftimit të zyrës së kryeministrisë, në këtë mbledhje janë marrë tri vendime, transmeton Klankosova.tv.
“Janë rialokuar 320,428.00€ për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në shërbim të zbatimit të Programit “Masat preventive – intervenime emergjente” nëpër komuna të ndryshme”.
“Ka miratuar vendimin për dhënien e pronës së paluajtshme, të konfiskuar me Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë PKR Nr. 1046/16, në shfrytëzim për Odën e Ndërmjetësuesve të Kosovës”.
“Ka aprovuar vendimin për të kërkuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit për Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, për nënshkrimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e trajtimit të Ujërave të zeza në Ferizaj”.
Vlera e kësaj kredie, është 20 milionë euro, që është projekti më i madh i BERZh-it për vitin 2023.
Këtë gjatë një interviste për KlanKosova.tv e ka thënë ditë më parë drejtori i BERZh-it në Prishtinë, Sergiy Maslichenko.