Presidentja Vjosa Osmani e ka nisur fjalimin e saj vjetor para deputetëve të Kuvendit të Kosovës me sulmin terrorist që ndodhi në Banjskë, ku u vra heroi Afrim Bunjaku.
Osmani ka thënë se atë ditë, Kosova u përballë me situatën më të rrezikshme nga pavarësia e saj, raporton Express.
“Një vit i ballafaqimit me vështirësi në vecanti në fushën e sigurisë, meqë më 24 shtator Kosova u përballë me situatën më të rrezikshme që nga pavarësia e saj. Një grup terrorist paralamilitar i financuar, trajnuar dhe mbështetur nga Serbia, e mbi të gjitha I udhëruar nga lidershipi i këtij shteti kreu akt agresioni me planin e qartë që të aneksohet veriu i Kosovës dhe tyë shkaktohet destablizim jo vetëm i vendit tonë, por i të gjithë rajonit. Në këtë ditë Kosova u përballë me një agresor tinëzar në veprim, por të dukshëm në ambicie, me synimin e qartë të cënimit të themelit të shtetit tonë, Republikës, për të cilën ranë shumë dëshmorë ndër breza”, ka deklaruar Osmani.
Tutje, Osmani ka thënë se Kosova do t`i mbrojë kufijtë e saj në çdo cep dhe me çdo kusht.
“Ky sulm, i cili është në vazhdën e ideve e planeve shoviniste e hegjemoniste të Serbisë, ekspozoi sërish fytyrën e vërtetë të fqinjit tonë verior, ëndërr e përhershme e të cilit mbetet realizimi i konceptit fashist të “Botës serbe”. Në këtë kohë kur është sfiduar drastikisht siguria në gjithë kontinentin tonë, plani famëkeq për destabilizim të Kosovës dhe rajonit mori përgjigjen e merituar”.
“Ata vranë një, por mobilizuan shumë djem e vajza nga radhët e Policisë, të cilët po atë ditë dhanë mesazh të qartë: Kosova nuk zmbrapset, Kosova nuk thyhet dhe Kosova do t`i mbrojë kufijtë e saj në çdo cep dhe me çdo kusht”, ka thënë në ekspozenë e saj Presidentja Osmani./Gazeta Express