Kryetarja e Komitetit të Jashtëm e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, ai i Gjermanisë, Michael Roth, ai i Irlandës, Charles Flanagan dhe ai i Çekisë, Pavel Fischer i kanë dërguar një letër presidentit të ShBA-së, Joe Biden dhe emisarit special të BE-së, Miroslav Lajçak, në lidhje me raportet mes Kosovës e Serbisë.
Ambasadori i Kosovës në Britani të Madhe, Ilir Kapiti, tha se përmbajtja e letrës pasqyron rëndësinë kritike dhe urgjencën e adresimit të realitetit aktual ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në letrën e katër kryetarëve të vendeve evropiane kërkohet që në dritën e samitit të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor që mbahet sot dhe nesër, masat ndaj Kosovës të vendosura nga Bashkimi Evropian të hiqen dhe që bashkëpunimi i plotë me Qeverinë e Kosovës të rikthehet.
“Bojkoti i zgjedhjeve komunale, i projektuar nga Lista Serbe më 23 prill, sulmi ndaj KFOR-it më 29 maj, ndalimi arbitrar i policëve kosovarë nga autoritetet serbe më 14 qershor dhe sulmi në Banjskë më 24 shtator, shfaq një model agresioni i krijuar për të minuar dhe destabilizuar Kosovën. Është jetike që komuniteti ndërkombëtar të refuzojë këtë irredentizëm dhe agresionin, dhe të riafirmojë mbështetjen për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës”, thuhet në letër, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, në letër thuhet se sulmi i 24 shtatorit, i udhëhequr nga ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, shënoi një përshkallëzim domethënës.
“Situata mund të kishte kaluar lehtësisht në një përshkallëzim më të gjerë nëse nuk do të ishte profesionalizmi dhe guximi i policisë së Kosovës, njëri prej të cilëve u vra tragjikisht. Sasia dhe lloji i armatimit të konfiskuar pas sulmit ngre pyetje serioze mbi rolin që mund të ketë pasur shteti serb në mbështetjen e operacionit”.
“Ne i bëjmë thirrje BE-së, SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar që të ndërmarrin një hetim të plotë mbi sulmin në Banjskë dhe të angazhohen për publikimin e rezultateve”, thuhet në letër, transmeton Klankosova.tv.
Në lidhje me agresionin në Banjskë më 24 shtator ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku është nisur një hetim ndërkombëtar, por që ende nuk është publikuar ndonjë gjetje nga ky raport.