Pensionistët janë shprehur të pakënaqur me mbështetjen financiare prej 100 eurosh për përfituesit e skemave pensionale dhe përfituesit e shtesave për fëmijë nga Qeveria e Kosovës. Sipas tyre kjo skemë do të jap mundësinë për më shumë manipulime.
Ndërkaq, njohës të fushës kërkojnë që të bëhet një zgjidhje më afatgjate dhe jo të dhurohen donacione.
“Ka të bëjë me shtesën e mbështetëse financiare prej 100 eurove për të gjithë përfituesit e skemave pensionale për muajin dhjetor. Marrë parasysh se pensionet e rregullta ekzekutohen këtë të premte ne do kemi të pamundur të ekzekutojmë shtesën në këtë datë, por gjatë javës në vijim do t’i njoftojmë pension-marrësit për ekzekutimin e kësaj shtese”, tha Hekuran Murati, ministër i Financave.
Ky vendim i djeshëm i Qeverisë së Kosovës, me propozim të Ministrisë së Financave, nga pensionistët po shihet se një ndihmë afatshkurtër. Sipas tyre institucionet duhet të bëjnë një zgjidhje të përhershme për ta.
“Për ne mjeranat, e fukaret e mosha e shtyme është shumë e mirë, ke kush ke në Qeveri, është e mirëseardhun…njëlloj ndihmese, jemi mbetë në baltë, të shtyn të qetë, e ti mandej a munesh me ecë a jo është dicka tjetër”, tha për RTV21 Halil Gosanci, pensionist.
Ka edhe pensionistë që e mirëpritën këtë shtesë, sadoqë e vogël.
“Kjo është mirë që jepin kështu, po ma shumë duhet me dhanë hala për pensionistët, sidomos këta që janë me social”, tha Reshat Sylejmani, pensionist.
Të tjerë mendojnë se kjo skemë është vetëm një hapësirë më shumë për manipulime,
“Po i krijojnë mundësitë me vjedhë ma shumë për veti sepse 50% kanë vdekë prej penzionerëve, edhe të mahershëm edhe tash”, tha Sefer Hakaj, pensionist.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e të mërkurës, krahas miratimit të mbështetjes financiare prej 100 eurosh për përfituesit e skemave pensionale, miratuan shtesa për fëmijë për muajin dhjetor në vlerë po ashtu 100 euro.