Gjykata Themelore në Peje u ka caktuar nga një muaj paraburgim dy të dyshuarve për dhunimin e një 23-vjecareje në Pejë, raporton Klankosova.tv.
Një vajzë 23 vjeçare, shtetase e Shqipërisë, dyshohet se më 11 dhjetor është dhunuar seksualisht në Pejë.
Për këtë nga Prokuroria Themelore e Pejës njoftuan dy ditë më parë se janë arrestuar dy persona.
Sipas burimeve të Klankosova.tv, njëri nga të arrestuarit që dyshohet se e dhunoi vajzën me probleme mendore, është babai i një ish-deputeti të Kuvendit të Kosovës.
Deri te arrestimi i tij e edhe të dyshuarit tjetër sipas Prokurorisë erdhi pas një punë intensive hetimore.
Sipas zëdhënësit të kësaj prokurorie, Shkodran Nikçi, viktima i është nënshtruar edhe ekzaminimit mjekësor ku është vërtetuar se e njëjta është dhunuar.
Gjykata e mori këtë vendim mbi arsyetimin e dhënë nga Prokuroria, e cila ka konsideruar që ekziston rreziku i ikjes së tyre duke pasur parasysh që vepra penale për të cilën ata dyshohen është e sanksionueshme me burgim prej 5 deri në 15 vjet dhe meqë atyre u kanoset një dënim më i lartë, ata mund të arratisen dhe me këtë rast të pamundësohet prania e tyre në fazat e mëtutjeshme të procedurës. /Klankosova.tv