Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në adresimin e saj në kuvend, ka thënë se sulmi i 24 shtatorit ishte tregues i qartë se Serbia dhe nomenklatura aktuale politike e saj nuk është e interesuar as për paqe, as për fqinjësi të mirë e as për përmbyllje të procesit të dialogut.
E para e shtetit të Kosovës tha se politika e sotme e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, është politika e djeshme e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq.
“Fatkeqësisht, politika e sotme e Vuçiqit është politika e djeshme e Millosheviqit. Prandaj, ambiciet hegjemoniste nuk kanë marrë fund. Banjska ishte vetëm një paralajmërim, e Serbia nuk do të heq dorë nga planet e saj të errëta”.
“Në esencë, Serbia me veprime të tilla, po e godet gjithë Evropën, sepse po punon për interesa të faktorëve malinjë që kanë për qëllim ta godasin BE-në e NATO-n përmes destabilizimit të Ballkanit Perëndimor”, tha Osmani, njofton Klankosova.tv.
Osmani tutje tha se pavarësisht nga synimet e Serbisë, Kosova do të jetë këtu siç ka qenë më 24 shtator “dhe siç do të jemi çdo ditë e përgjithmonë për t’u bërë gardianë të Republikës sonte”.