Fushatat e vazhdueshme të lajmeve të rrejshme të bëra nga Rusia dhe Serbia kundër Kosovës, kanë për qëllim dëmtimin e sovranitetit dhe imazhit të vendit. Përveç kësaj, ka për qëllim diskreditimin e personaliteteve të larta dhe mirëmbajtjen e vazhdueshme të tensionit ndëretnik.
Kështu u tha në konferencën “Propaganda mediatike serbe dhe ruse në Kosovë”, e organizuar nga Instituti Octopus.
Drejtori i Institutit për Studimin e Kërcënimeve Hibride “Octopus”, Agim Musliu, derisa foli për hulumtimin e vërë se si ndikon propaganda e mediave tuse dhe serbe në Kosovë, përmendi një lajm të rremë të publikuar nga media serbe Kosovo Online. Ai tha se kjo media ditën e sulmit terrorist të 24 shtatorit publikoi një artikull të rremë që ka të bëjë me komunikimin e Policisë së Kosovës në radiolidhje, si neglizhencë e policisë ndaj një të burgosurit serb.
Lidhur me këtë, Musliu tha se Kosovo Online nuk ka asnjë fakt, pjesë të audio materialit apo diçka tjetër që e mbështet pretendimin e saj se në atë komunikim po neglizhohet një i plagosur serb.
Ndërkaq, hulumtuesi i lartë në Octopus, Taulant Elshani, tha se mediumi Kosovo Online është shndërruar në një epiqendër për luftë speciale dhe dezinformim kundër Kosovës, duke publikuar lajme të rreme, sipas tij plotësisht në përputhje me vijen zyrtare te politikës në Beograd.
Përveç kësaj, Elshani foli edhe për lidhjen e mediave ruse Sputnik Serbia dhe RT me Serbinë, derisa tha se Sputnik Serbia është uebsite lajmesh i sponzorizuar nga Kremlini për propagandë të lajmeve dhe narrativave në gjuhën serbe
Ai shtoi se media Kosovo Online, Sputnik Serbia dhe RT janë në sinkronizim për të goditur me fushata të mirëorganizuara pavarësinë e Kosovës, paqen rajonale dhe se sipas tij synon shembjen e rendit dhe progresit që Perëndimi ka arritur në Ballkan.
Në hulumtimin e Octopus “Propaganda mediatike serbe dhe ruse në Kosovë” thuhet se Rusia e përdor median për të sponsuar fuqinë e saj dhe gjurmëve në fushën e mediave për të arritur qëllimet e veta që kanë të bëjnë me glorifikimin, shtyerjen dhe influencën e elementeve destabilizuese të politikes së saj.