Shtimi masiv i monedhave 2 euro false në tregun e Kosovës po i sfidon qytetarët dhe disa biznese në vend. Qytetarët shprehen të mllefosur që po përballen me monedhat nga 2 euro të falsifikuara.
Kjo dukuri është bërë shqetësuese për qytetarët, disa biznese kanë filluar të mos i pranojnë monedhat 2-euroshe fare. Po ashtu edhe disa transportues publikë në Prishtinë nuk po i pranojnë nga udhëtarët këto.
Pronari i një marketi në Prishtinë, Fidaim Rushiti, thekson se nuk është duke pranuar 2-euroshe, dhe gjithashtu sipas tij, nuk po pranohen as nga konsumatorët edhe nëse janë ato origjinal.
“Për momentin nuk jemi duke pranuar 2 euro false, i kemi ndalë nuk po i marrim, nuk kemi për me dhënë false. Vetëm origjinalin dhe shumica e konsumatorëve nuk janë duke i marrë dy eurot edhe nëse janë origjinal, vetëm 1 euro, 50 centë. Dy eurot për momentin donë të dalin prej funksionit. Shumica kanë filluar me i identifikuar”, thotë Rushiti.
Qytetari Mentor Isufi thotë se nuk është e drejtë që marketet të mos i pranojnë monedhat nga 2 euro, sepse sipas tij, me ligj janë të detyruar t’i pranojnë çfarëdo monedhe.
“Deri tash nuk kam pasur problem, tash me një market të vogël hasa që kishte shënuar që nuk pranojnë dy euro, një far forme ndoshta edhe nuk kanë të drejtë, sepse me ligj janë të detyruar me i pranuar çfarëdo monedhe që të jetë, edhe një centë duhet me e pranu. Mirëpo tash kjo afera që ka ndodhur me 2 euro false nuk kemi mjet që mundemi me i identifikuar as ne e as marketet se a janë false… Është një problem shumë i madh, po besoj që edhe shteti po ka telashe, kështu që këto monedha duhet me u largu prej tregut nga shteti”, theksoi Isufi.
Ndërsa, një qytetar tjetër, Shaban Kurtolli, ka treguar mënyrën e identifikimit të parave flasë.
“2 euro flasë kanë dalur në treg goxha moti, tash duhet me e pas magnetin, sepse ato janë të hekurit e këto janë alumin”, tha Kurtolli.
Ndërsa, Pajtim Çuni tregoi eksperiencën e tij duke thënë se ka gati një javë që ka probleme me këto para.
“A janë origjinal apo jo nuk di me vlerësua, mirëpo ka disa ditë që 2 eurot nuk po i pranojnë pjesa dërmuese e marketeve apo edhe transporti publik nuk pranojnë 2 eurot, kjo për ne është sfiduese prej të premtes së kaluar. Kishte me qenë mirë nëse kishin reaguar autoritetet kompetente në mënyrë që me bërë një zgjidhje, mos me i lanë konsumatorët në këto dilema”, theksoi ai.
Banka Qendrore e Kosovës në një përgjigje me shkrim për KosovaPress janë deklaruar se BQK është duke u koordinuar në aspektin ndërinstitucional me organet përgjegjëse për t’i mbështetur në veprimet e tyre për kufizimin dhe parandalimin e këtij aktiviteti, duke ofruar bashkëpunim dhe mbështetje profesionale.
“Banka Qendrore e ë Kosovës nuk ka dhe as nuk mund të ketë informacion për numrin e monedhave të falsifikuara në qarkullim meqë ky aktivitet është i jashtëligjshëm dhe vepër penale sipas ligjit. Në kuadër të përgjegjësive të saj BQK-ja është duke u koordinuar në aspektin ndër-institucional me organet përgjegjëse për t’i mbështetur në veprimet e tyre për kufizimin dhe parandalimin e këtij aktiviteti, duke ofruar te gjithë bashkëpunimin e nevojshëm dhe mbështetjen profesionale. Edhe aktivitetet e ndërmarra së fundi dhe në vazhdimësi kanë kontributin e BQK-së dhe dalin nga ky bashkërendim dhe ndërveprim institucional,” u përgjigj BQK në një email.
Policia e Kosovës në një përgjigje me shkrim tha se në gjashtë mujorin e parë të këtij viti ka iniciuar dhe trajtuar 486 raste për para falëse.
“Gjatë vitit të kaluar (2022), policia ka iniciuar 804 raste të “Falsifikimit të parasë’, kurse në gjashtëmujorin e parë të këtij viti (2023) ka iniciuar dhe trajtuar 486 raste të tilla”, thuhet në përgjigjen e policisë me shkrim.
Ndërsa, ish-guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti i bëri thirrje të gjithë qytetarëve dhe bizneseve që të shmangin pagesat me para kesh apo mundësitë për të rënë në kontakt me monedhat.
Ai tha se tregtarët dhe qytetarët kanë eksperienca të panjohura me paratë e falsifikuara, ndërsa institucionet bankare përballen me këto lloj monedhash shumë herë dhe metodat që përdoren për identifikimin e tyre janë të përsosura.
Ndërsa, disa biznese kanë filluar që të mos i pranojnë monedhat nga 2 euro, edhe nëse janë origjinal. Disa biznese po ashtu njoftojnë konsumatorët se “monedha 2 euro nuk pranohet”./KP