Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar masën e sigurisë prej një muaj paraburgim të dyshuarit të katërt për përfshirje në vrasjen e Liridona Ademajt.
Departamenti për Krime të Rënda ka mbajtur sot seancën dëgjimore, duke vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit.
T.D., i dyshuari i katërt për përfshirje në vrasjen e 30-vjeçares nga Gjakova, është dërguar në paraburgim për 30 ditë.
“Gjyqtarja e Procedurës Paraprake vlerësoi se ekzistojnë bazat dhe arsyet për caktimin e masës së paraburgimit, ngase ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri T.D ka kryer veprën penale, andaj nëse i njëjti gjendet në liri, mund të ndikoj në të dëmtuar dhe në dëshmitarë, si dhe ekziston edhe rreziku i përsëritjes së veprës penale, e të gjitha së bashku kanë plotësuar bazën ligjore për caktimin e masës së paraburgimit”, thuhet në njoftimin e gjykatës
Gjykata tha se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri T.D me datë 29.11.2023 rreth orës 14:00 në vendin e tij të punës, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në kundërshtim me Ligjin në fuqi për armë apo materie plasëse, ia ka shitur armën të dyshuarve N.M dhe G.P.