Koordinatori për Financa në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë të PDK-së, Arben Mustafa, ka thënë se buxheti për vitin 2024 nuk do t’i mundësojë Kosovës zhvillim ekonomik dhe përmirësim të jetës së qytetarëve.
Mustafa ka treguar se me buxhetin për vitin 2024, Qeveria Kurti tejkalon 10 miliardë euro buxhet në administrim për katër vite, e përmes të cilit nuk ka arritur të realizojë asnjë projekt të madh për vendin.
Kjo qeveri, ashtu siç e filloi mandatin, ashtu dhe po shkon drejt fundit të mandatit të saj qeverisës, duke bartur paratë e qytetarëve të Kosovës nga dora në dorë, por pa lënë asnjë gjurmë substanciale në përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët e vendit. Pra, për katër vite qeverisje, kjo Qeveri pritet t’i shpenzojë deri në fund të mandatit mbi 10 miliardë euro taksa të qytetarëve, por nuk ka realizuar asnjë projekt madhor për qytetarët e vendit. Prandaj, shihet qartë se kjo Qeveri nuk ka asnjë plan për ta zhvilluar Kosovës dhe për ta përmirësuar jetën e qytetarëve”, ka thënë Mustafa.
Më tej, Mustafa ka thënë se edhe buxheti për vitin 2024 është vetëm për 3% më i lartë në krahasim me buxhetin e vitit paraprak. Sipas tij, kjo rritje kaq e ulët e buxhetit reflekton ngecjen e përgjithshme të ekonomisë së Kosovës.
“Buxheti i aprovuar dje, ngjashëm me buxhetet e viteve të fundit, nuk ofron asnjë perspektivë për një dinamikë më të madhe të zhvillimit dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve të Kosovës. Në krahasim me vitet paraprake, ky buxhet dallon vetëm për sa i përket ndryshimit të strukturës së buxhetit në dëm të investimeve kapitale dhe në favor të shpenzimeve për transfere dhe subvencione”, ka thënë Mustafa.
Mustafa ka treguar se në buxhetin për vitin 2024, shuma e alokuar për investime kapitale përfaqëson vetëm 26% të gjithsej shpenzimeve të planifikuara buxhetore, përderisa pjesëmarrja e shpenzimeve për subvencione dhe transfere ka arritur në 32.2%.
Koordinatori për Financa në KQM, ka thënë se orientimi kryesor i kësaj qeverie janë skemat e përkohshme dhe simbolike të subvencioneve.
“Kjo qeveri në vazhdimësi ka refuzuar propozimet tona për rritje të pensioneve në kushtet kur shpenzimet e jetesës janë bërë të papërballueshme për shkak të rritjes së çmimeve. Tani, në vend se të ofrojnë një zgjidhje të qëndrueshme duke ua rritur pensionet, këta i’a japin pensionistëve një lëmoshë të njëhershme prej 100 euro sa për t’i mbajtur shpresat e tyre të varura për ndonjë vendim për një lëmoshë tjetër nga Qeveria në të ardhmen”, ka thënë Mustafa.