Leonida Molliqaj, drejtore ekzekutive në organizatën QIKA, vlerësoi se arsyeja që nuk po raportohen rastet e dhunës në familje nuk është te çështja që s’ka fushata ndërgjegjësuese nga institucionet, por që problemi është te ajo se çka po ndodh me viktimat!
“Nuk është ideja vetëm të raportohet rasti në polici, por shteti i Kosovës i lë viktimat totalisht pa mbrojtje”.
“Ajo që është identifikuar si një prej shkaktarëve kryesorë të faktit pse gratë nuk e raportojnë në polici dhunën, është për shkak se nuk ndihen të sigurta, nuk kanë pronë as te burri e as te babai”, deklaroi Molliqaj në emisionin Rubikon në Klan Kosova.
Aspekti tjetër, sipas saj, është mungesa e respektimit të urdhrit mbrojtës.
“Ia japin urdhrin mbrojtës dhe burrin vendosin ta lënë në shtëpinë ku jetojnë bashkë dhe gruas i bie të dalë nga ajo shtëpi. Instinktivisht institucionet vendosin me e dhënë një masë e cila nuk ka efekt faktikisht”.
“Ajo çka propozojmë ne si organizatë e si aktiviste e feministe është që të ndërmerren tre hapa të domosdoshëm : 1) Sigurimi i strehimit apo banimit, 2) Ofrimi i mjeteve financiare ose punësimi, dhe 3) Përkujdesja e fëmijëve apo çerdhja pa pagesë për fëmijët e viktimave të dhunës.”, u shpreh udhëheqësja e organizatës QIKA.