Komuna e Mitrovicës së Veriut nuk e ka pranuar kërkesën e qytetarëve për iniciativën e largimit të kryetarit, Erden Atiq.
Koha ka siguruar dokumentin që i është dërguar grupit nismëtar, sipas Udhëzimit Administrativ i cili e parasheh se kryesuesi i Kuvendit komunal, pas pranimit të iniciativës për shkarkimin e kryetarit, duhet brenda pesë ditësh të kthejë përgjigje.
“Kjo kërkesë nuk pranohet nga kryesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës Veriore, për shkak se kërkesa nuk është në përputhje me Udhëzimin Administrativ MAPL nr.02/2023 për largimin e Kryetarit të Komunës nga funksioni”, thuhet në vendimin e siguruar.
Nexhat Ugljanin, kryesues i Kuvendit Komunal ka thënë se grupi iniciativ është njoftuar për mospranimin e kërkesës.
“Nuk është pranuar kërkesa, tash ua kam dërguar edhe njoftimin përmes email-it, jemi bazuar në udhëzimin administrativ të MAPL-së”, ka thënë ai.
Në shtator të këtij viti, Ministria Administrimit të Pushtetit Lokal ka publikuar udhëzimin administrativ që u mundëson qytetarëve që nëpërmjet një peticioni t’i largojnë kryetarët e komunave veriore.
Ky udhëzim është hartuar në kuadër të hapave që Qeveria e Kosovës i ka ndërmarrë për shtensionimin e plotë të situatës në veri.
Zgjedhjet ishin bojkotuar nga popullata serbe.