Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nga shqiptarët në Serbi që marrin pjesë masivisht në zgjedhjet e 17 dhjetorit, dhe të votojnë Listën “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi”.
LVV përmes një postimi në profilin zyrtarë në Facebook thotë se përçarja mes shqiptarëve në Serbi në këtë moment nuk i shërben demokracisë, por vetëm presidentit të këtij vendi, Aleksandar Vuçiq, shkruan Arbresh.info.
Postimi i plotë:
Në 17 dhjetor mbështesim Listën “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi”
Vëmendja dhe mbështetja jonë e parezervë është për shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit. Në 17 dhjetor do të ketë zgjedhje në Serbi, ku aktualisht udhëheq një regjim antishqiptar, e një president si Vuçiqi, i cili ëndërron të rikthehet në pozitat e paraardhësit të tij, Milosheviqit.
Është e domosdoshme që shqiptarët në këto zgjedhje të marrin pjesë masivisht, dhe të votojnë Listën e përbashkët të pesë subjekteve shqiptare. Në këtë listë bartës do të jetë Shaip Kamberi (PVD), dhe mbështetet nga Ragmi Mustafa (PDSH), Shqiprim Musliu (LPD), Naser Azeri (UDSH) dhe Armend Aliu (Lëvizja për Luginën).
Pesë partitë politike shqiptare janë bashkuar, tash edhe votuesit shqiptarë duhet të bashkohen. Përçarja, në këtë moment nuk i shërben demokracisë, por Vuçiqit. Është e domosdoshme që shqiptarët të përfaqësohen në parlament nga zëra të pavarur dhe me integritet moral e patriotik.
Kritikat që Shaip Kamberi ia ka bërë regjimit të Vuçiqit që nga parlamenti i Beogradit, kanë qenë me vlerë të madhe kombëtare, sepse i kanë dhënë zë shqetësimeve reale të shqiptarëve të Luginës, të cilët janë trajtuar posaçërisht keq nga qeveria Vuçiq.
Organizata ndërkombëtare me besueshmëri, si Amnisty International, kanë vlerësuar që ky regjim ka bërë spastrim etnik me metoda administrative kundër shqiptarëve në Luginë, duke pasivizuar adresat e tyre. Është koha pra që të mbahet një qëndrim i qartë kundër kësaj qeverie dhe bashkëpunëtorëve të saj.
Lëvizja VETËVENDOSJE! do të mbështesë Listën “Beteja politike vazhdon – Shaip Kamberi” me numër 13 në fletën e votimit. Nesër në Prishtinë do të organizohet një tubim në organizuar nga Lista, ku janë të ftuar të gjithë e posaçërisht ata që kanë prejardhje nga Lugina./Arbresh.info