Të premten e kaluar, deputetët e Kuvendit të Kosovës e miratuan në mbrëmje në lexim të dytë Projektligjin për Fondin Sovran.
62 deputetë votuan pro këtij projektligji, pa asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim, njofton Klankosova.tv.
Por, këtë ligj po e sfidon opozita.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka vendosur që të njëjtin ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.
Përmes një njoftimi dërguar mediave nga Grupi Parlamentar i LDK-së, thuhet se deputeti Besian Mustafa do të bëjë dorëzimin e këtij ligji në kushtetuese.
“Deputeti Besian Mustafa, si përfaqësues i Lidhjes Demokratike të Kosovës, sot, në ora 14:00 dorëzon Ligjin 08/l-238 për Fondin Sovran në Gjykatën Kushtetuese”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, Qeveria e Kosovës ka thënë se Fondi Sovran do të jetë një mekanizëm i ri dhe efektiv për orientimin e investimeve, përmirësimin e qeverisjes korporative, ngritjen e konkurrueshmërisë dhe cilësisë, rritjen e shkathtësive dhe të punësimit, si dhe eliminimit të keqpërdorimit dhe korrupsionit në sektorin e ndërmarrjeve publike.
Sipas qeverisë, Fondi Sovran do t’i marrë nën pronësi asetet strategjike të Kosovës. Fondi do ta ketë përgjegjësinë ekskluzive për investimet në rritjen e vlerës së Trepçës, KEK-ut, Korporatës së Thëngjillit, PTK-së. /Klankosova.tv