Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot mbajti adresimin e saj vjetor në Kuvendin e Kosovës.
Foli për draft-statutin për Asociacionin i Komunave me Shumicë Serbe, për Dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, për sigurinë në vend pas tentimit për destabilizim nga Serbia, e shumë tema të tjera.
Adresimi vjetor i Presidentes Osmani në Kuvendin e Republikës së Kosovës
I nderuar kryetar i Kuvendit, z. Konjufca,
I nderuar kryeministër Kurti dhe kabinet qeveritar,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës,
Të nderuar ambasadorë,
Mysafirë të nderuar,
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,
Ju flas në fund të një viti jo të lehtë për shtetin tonë. Ishte një vit i ballafaqimit me vështirësi, në veçanti në fushën e sigurisë, meqë më 24 shtator, Kosova u përball me situatën më të rrezikshme që nga pavarësia e saj.
Një grup terrorist e paramilitar, i financuar, trajnuar dhe i mbështetur nga Serbia, e mbi të gjitha, i urdhëruar nga lidershipi i këtij shteti, kreu akt agresioni me planin e qartë që të aneksohet veriu i Kosovës dhe të shkaktohet destabilizim jo vetëm i vendit tonë, por edhe i të gjithë rajonit.
Në këtë ditë, Kosova u përball me një agresor, tinëzar në veprim, por të dukshëm në ambicie, me synimin e qartë të cenimit të themelit të shtetit tonë, Republikës për të cilën ranë shumë dëshmorë ndër breza.
Ky sulm, i cili në vazhdën e ideve e planeve shoviniste e hegjemoniste të Serbisë, ekspozoi sërish fytyrën e vërtetë të fqinjit tonë verior, ëndërr e përhershme e të cilit mbetet realizimi i konceptit fashist të “Botës serbe”.
Në këtë kohë kur është sfiduar drastikisht siguria në gjithë kontinentin tonë, plani famëkeq për destabilizimin e Kosovës dhe rajonit mori përgjigjen e merituar.
Në këtë ballafaqim, terroristët vranë policin Afrim Bunjaku, ndaj ai u bë dëshmori dhe heroi më i ri në historinë e Kosovë dhe njëri nga të shumtët që ra fli në mbrojtje të integritetit dhe sovranitetit të shtetit tonë.
Ata vranë një, por mobilizuan mijëra djem e vajza nga radhët e Policisë sonë, të cilët po atë ditë dhanë mesazh të qartë: Kosova nuk zmbrapset, Kosova nuk thyhet dhe Kosova do t`i mbrojë kufijtë e saj në çdo cep dhe me çdo kusht.
Askush dhe asgjë nuk do ta largojë Republikën tonë nga aspiratat e saj legjitime për ta shtrirë sundimin e ligjit në gjithë territorin tonë.
Askush dhe asgjë nuk do ta largojë Republikën tonë nga përpjekja e çdoditshme që këtë vend ta bëjmë të sigurt dhe të dinjitetshëm për të gjithë qytetarët e saj, pa dallim.
Të nderuar deputetë,
Të nderuar të pranishëm,
Sulmi i 24 shtatorit dëshmoi sërish profesionalizmin e jashtëzakonshëm dhe trimërinë e guximin e institucioneve të sigurisë së Kosovës. Dua sërish të shprehë mirënjohjen e thellë për policinë e Kosovës, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe të gjitha institucionet e angazhuara në ndaljen e këtij agresioni të Serbisë.
Por, të nderuar deputetë, sulmi i 24 shtatorit është po ashtu tregues i qartë se Serbia dhe nomenklatura aktuale politike e saj nuk është e interesuar as për paqe të qëndrueshme, as për fqinjësi të mirë, e as për përmbyllje të procesit të dialogut me Kosovën.
Fatkeqësisht, politika e sotme e Vuçiqit është politika e djeshme e Millosheviqit.
Prandaj, ambiciet hegjemoniste nuk kanë marrë fund. Banjska ishte vetëm një paralajmërim, ndaj Serbia nuk do të heqë dorë nga planet e saj të errëta. Në esencë, Serbia me veprime të tilla po e godet gjithë Evropën, sepse po punon për interesa të faktorëve malinj që kanë për qëllim ta godasin BE-në e NATO-n, nëpërmjet destabilizimit të Ballkanit Perëndimor.
Por, pavarësisht nga këto synime të Serbisë, ne jemi këtu, siç kemi qenë në periudha të hershme të historisë, siç kemi qenë këtu më 24 shtator dhe siç do të jemi çdo ditë e përgjithmonë për t`u bërë gardianë të Republikës sonë.
Të nderuar deputetë,
Pikërisht në kohë të vështira, populli i Kosovës dhe përfaqësuesit e saj kanë ditur të bashkohen rreth kauzës në mbrojtje të shtetit tonë të ndërtuar me aq shumë sakrifica. Kjo u dëshmua edhe pas 24 shtatorit, kur i gjithë faktori politik në vend u bashkua në mbrojtje të Republikës sonë, duke dëshmuar se në përballje me politikat hegjemoniste të Serbisë, ne jemi një.
Ne, bashkërisht duhet të vazhdojmë të qëndrojmë të vendosur e të palëkundur kundër përpjekjeve për ta goditur Republikën tonë.
Në situata të tilla nuk duhet të ketë ndarje partiake apo ideologjike, duhet të ketë unitet, pa dallim.
Rreshtimi i vetëm që na duhet sot është rreshtimi në anën e shtetit tonë të pavarur e sovran.
Mbrojtja dhe ekzistimi i këtij shteti është testament i trashëguar nga brezat para nesh, prandaj e kemi për detyrë ta lëmë më të fortë e më të përparuar për brezat që vijnë pas nesh.
Ne jemi pak për të qenë të ndarë dhe me qëndrime të dallueshme për situata si kjo, kur vetëm uniteti është përgjigja e duhur për ta mbrojtur sovranitetin e shtetit tonë.
Këtë rrezik nuk e kemi kaluar, ndaj nuk duhet t`i nënshtrohemi ndarjes e dallimeve, por të jemi të bashkuar në vendosmërinë tonë në përballje me Serbinë e të qëndrojmë këmbëngulës dhe të palëkundur kundrejt sfidave të sigurisë.
Policia e Kosovës punon pa lodhur, duke u përballur me rrezik të vazhdueshëm, por, siguria nuk është vetëm përgjegjësi e tyre. Është një përgjegjësi e përbashkët që bie mbi secilin prej nesh. Prandaj, duhet të qëndrojmë vigjilentë e të bashkuar kundrejt situatave të tilla.
Të nderuar deputetë,
Procesi i dialogut me Serbinë sa vjen e po bëhet më i vështirë, kjo nga jokonstruktiviteti, obstruksionet dhe përpjekjet e Serbisë që të shkaktojnë destabilitet jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë.
Mungesa e balancit dhe e qasjes së trajtimit të barabartë në dialog i ka bërë dëm jashtëzakonisht të madh këtij procesi. Kosova akoma përballet me masa të padrejta e joproporcionale të cilat prekin drejtpërdrejt interesin e qytetarëve të saj. Në anën tjetër, duke mos vendosur masa ndaj Serbisë për aktin e agresionit të 24 shtatorit dhe për sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it e gazetarëve përgjatë majit, për fat të keq ky shtet vetëm po inkurajohet që të vazhdojë të përdorë dhunë.
Një trajtim i tillë i pabarabartë i palëve do të jetë një goditje për vet kredibilitetin e procesit të dialogut dhe pengesa kryesore për suksesin e këtij procesi.
Siç e dini, të nderuar deputetë, së fundi Kosovës i është dorëzuar një propozim – draft statut për një asociacion të komunave me shumicë serbe, i hartuar nga partnerët tanë. Përderisa vlerësimi i hartuesve është se një draft i tillë është në harmoni me Kushtetutën, dua të ritheksoj se institucioni që do të duhet ta bëjë këtë vlerësim, duke u udhëhequr nga parimi i pavarësisë dhe profesionalizmit, është Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës. Është me rëndësi që të gjithë ne, pa dallim partiak, të ulemi dhe bashkërisht të përgatisim komentet tona bazuar në shqetësimet që mund t’i kemi dhe t’i dërgojmë ato në Gjykatën Kushtetuese kurdo që ky draft do të dorëzohet para këtij institucioni. Qëllimi ynë i përbashkët duhet të jetë që të sigurojmë përputhshmëri të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe mos të lejojmë një pushtet të ndërmjetëm të qeverisjes apo anomali të tjera të cilat rrezikojnë funksionimin e brendshëm të shtetit tonë. Prandaj, në mënyrë që qëllimet tona të përbashkëta të përkthehen edhe në veprime të përbashkëta, përveç konsultimeve të vazhdueshme me kryeministrin dhe kryetarin e Kuvendit, kam ftuar në takim edhe liderët e partive opozitare, me qëllim që për këtë temë sfiduese, të ndërtojmë një qëndrim të unifikuar në mbrojtje të funksionimit të Republikës sonë.
Të nderuar deputetë,
Të nderuar të pranishëm,
Si udhëheqëse e politikës së jashtme dhe përfaqësuese e vendit jashtë, ashtu siç edhe përcaktohet në Kushtetutë, fuqizimi i aleancave ekzistuese dhe krijimi i atyre të reja, vazhdon të mbetet ndër prioritetet kryesore të punës sime.
Ky nuk është një proces i lehtë, duke qenë se përpjekjet e Serbisë dhe përkrahësve të saj në Kremlin për ta minuar pozicionin ndërkombëtar të Kosovës sa vijnë e shtohen. Synimi i tyre nuk është vetëm të dëmtojnë Kosovën, por ta dëmtojnë edhe një projekt të suksesshëm ndërkombëtar të aleatëve perëndimor që ka rezultuar me lirinë e pavarësinë tonë.