Komisioni Qendror Zgjedhor u ka kthyer përgjigje tre kryesuesve të Kuvendeve Komuanle për Leposaviq, Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se së pari, nga verifikimet, përmes këtyre përgjigjeve të ndara, ka njoftuar se anëtarët e tri grupeve nismëtare, të cilët janë nga tre anëtarë për secilën komunë, janë votues të komunave përkatëse.
“Të nderuar të pranishëm, Ju njoftoj se gjatë ditës, KQZ u ka kthyer përgjigje të tre kryesuesve të Kuvendeve Komunale për Leposaviq, Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok, të cilët më 12 dhjetor i parashtruan KQZ-së dy pyetje të njëjta”, ka thënë Elezi.
“Lidhur me këto përgjigje janë njoftuar edhe tri grupet nismëtare si dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. Së pari, nga verifikimet, KQZ përmes këtyre përgjigjeve të ndara, ka njoftuar se anëtarët e tri grupeve nismëtare, të cilët janë nga tre anëtarë për secilën komunë, janë votues të komunave përkatëse”.
Ai shtoi se edhe lidhur me numrin e përditësuar të votuesve të regjistruar në këto komuna, mbi bazën e të cilit përllogaritet numri minimal i nevojshëm i nënshkrimeve prej 20 për qind.
“Së dyti, KQZ ka njoftuar kryesuesit e tri kuvedeve komunale, tri grupet nismëtare dhe MAPL-në edhe lidhur me numrin e përditësuar të votuesve të regjistruar në këto komuna, mbi bazën e të cilit përllogaritet numri minimal i nevojshëm i nënshkrimeve prej 20%”.
“Numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote në komunën e Leposaviqit është: 13,441. Nga ky numër, 2,689 përbëjnë 20% të trupës elektorale në këtë komunë. Në komunën e Zubin Potokut, numri i qytetarëve me të drejtë vote është: 6,732. 20% i votuesve në këtë komunë është: 1,347. Në komunën e Mitrovicës së Veriut, numri i votuesve është: 18,199. Sipas përllogaritjeve, 3,640 votues përbëjnë 20% të trupës elektorale”.