Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut përmes një komunikate, ka shkruar për Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.
Në komunikatë thuhet se kësaj radhe rastisi që Dita Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut ishte në ditë pushimi, prandaj sipas tyre, edhe deklaratat e politikanëve ishin deklarata të vikendit, siç thuhet, thuaja të përgjumura dhe pa asnjë peshë relevante.
“Më 10 dhjetor 1948 Asamblea e Përgjithshme e OKB-së e miratoi Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut që u ratifikua nga pjesa dërrmuese e anëtarëve të OKB-së sikur që u bë pjesë përbërëse e Kushtetutave të atyre vendeve që moën detyrim zbatimin e saj. Dita e miratimit të DUDNJ–së konsiderohet si Ditë Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut dhe, varësisht gjendjes së këtyre të drejtave, dikund festohet dhe dikund vetëm shënohet si një ditë dhe datë kalendarike”.
KMDLNj thotë se në Kosovë nuk ka asnjë arsye që të festohet kjo ditë, por sipas këtij këshilli, kalendari i datave detyron protokollin e shtetit që ta shënojnë këtë ditë, shkruan Klankosova.tv.
“Republika e Kosovës në Kushtetutën e saj e ka të integruar Deklaratën e KB-së për të Drejtat e Njeriut sikur edhe dokumentet tjera ndërkombëtare që e rregullojnë këtë fushë përkatësisht Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Kosova është rrush prej dokumenteve për të drejtat e njeriut por se mundësitë që ato të realizohen në mënyrë efektive janë të kufizuara nga situata politike dhe mundësitë materiale”
Kësaj radhe rastisi që Dita Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut ishte në ditë pushimi (e diele) prandaj edhe deklaratat e politikanëve ishin deklarata të vikendit, thuaja të përgjumura dhe pa asnjë peshë relevante. Realisht, në Kosovë nuk ka asnjë arsye që të festohet kjo ditë por se kalendari i datave detyron protokollin e shtetit që ta shënojnë këtë ditë”, thuhet në komunikatë.
Tutje, aty thuhet se Kosova, pa krijuar qëndrueshmëri politike dhe ekonomike, sipas tyre, e ka të pamundur të flasë për respektim të drejtave të njeriut.