Çështja e sigurimit të Liridona Ademajt, përflitet të jetë një nga arsyet e mundshme pse burri i saj, Naim Murseli porositi vrasjen e saj.
Nga shumëkush, kjo teori është hedhur poshtë, duke aluduar në atë se sigurimi i të ndjerës nuk mbulon ndonjë shumë të madhe të parave.
Në lidhje me këtë çështje, në një intervistë për lajmi.net ka folur drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Sami Mazreku.
Ky i fundit ka sqaruar edhe rregullativat e funksionimit të sigurimeve në Kosovë.
Ai thotë se në vendin tonë, sigurimet mund të shkojnë deri në 250 mijë euro.
Tutje, shpjegon se nëse vërtetohet se Naimi ka porositur vrasjen, atëherë nuk ka dëmshpërblim.
Gjithashtu, Mazreku sqaron se vlera e sigurimit të jetës varet nga shuma që paguhet muaj për muaj.
Thotë se sa më e madhe të jetë kjo shumë, aq më i lartë është sigurimi.