Në gjykatën e Pejës është duke u dëgjuar si dëshmitar Beqë Hamzaj, babai i djalit të vrarë në autobus, i cili po kthehej nga shkolla më 26 nëntor të vitit 2021, në sulmin e të cilit mbetën të vrarë 3 persona në Gllogjant ë Deçanit.
Ai rrëfeu momentet e mbrëmjes kritike duke thënë se djali i tij kthehej zakonisht nga shkolla në orën 18:50 minuta, kurse atë natë i kishte shkruar nënës së tij diku rreth orës 18:35
“Atë natë djali im i ndjeri, diku edhe 25 në 7 i ka shkru nanës së vet “Bama bukën gati se jam ka vijë e nuk vanohna”. Mu zakonisht djali m’vijke në 15 në 7 ose 10 në 7. E kam marr telefonin dhe e kam thirrë” – nisi dëshminë në gjykatë babai i të ndjerit.
Ai shtoi se meqë ishte vonuar, e kishte thirr në telefon por aty ishte lajmëruar një djalë tjetër.
“Më është lajmëruar një djalë tjetër. Më ka thënë mos e leni pa ardhë se na kanë gjujtë me automat në autobus” – tha Hamzaj sot.
Ai tha se kishte qenë i pari që kishte mbërritur te vendi i ngjarjes.
Për këtë vrasje të rëndë po akuzohen Kreshnik, Halil e Kastriot Mehmetaj.
Sipas Prokurorisë, vrasja ka ndodhur “për motive hakmarrëse pa çarë kokën për pasojat” të familjes Mehmetaj ndaj tani të ndjerit G.Gj., duke e ndërlidhur vetëvrasjen e motrës së të akuzuarve Kreshnik dhe Kastriot Mehmetaj, H.M., me tani të ndjerin G.Gj.
Viktima ishin 2 nxënës 17-vjeçarë, L.H. dhe G.M., dhe shoferi i autobusit G.Gj.
Vrasja kishte ndodhur në orët e mbrëmjes deri sa një autobus po qarkullonte në rrugën nëpër Gllogjan.
Gjatë seancës së kaluar ndaj kryefamiljarit Mehmetaj dhe dy djemve të tij pati rrëfime në detaje nga të akuzuarit dhe familjarë të viktimave.
Sipas dosjes së Prokurorisë, Kreshnik e Kastriot Mehmetaj kishin planifikuar vrasjen dhe kishin ndarë detyrat, për mënyrën dhe kohën e kryerjes së vrasjes, kurse babai tyre i kishte shtyrë në këto veprime.
Asnjëri nga të akuzuarit nuk e ka pranuar fajësinë për akuzat që u vihen në barrë nga Prokuroria.Halil Mehmetajt nuk iu kishte aprovuar pranimi i fajësisë për armëmbajtje pa leje nga trupi gjykues i përbërë nga Violeta Husaj – Rugova, Shaqë Curri dhe Leon Përlaska.
Këtë ndërlidhje me vetëvrasjen e H.M. si motiv të vrasjes që po gjykohet në këtë rast, mbrojtja e të akuzuarve e cilësoi si hetim të gabuar e veprime të ngutshme, duke u bazuar sipas tyre në spekulime dhe thashetheme të fshatit, të cilat e kanë orientuar gabimisht Prokurorinë në ndriçimin e rastit.
Për vetëvrasjen e motrës së tij, i akuzuari Kastriot Mehmetaj në seancën e 30 nëntorit të këtij viti kishte thënë se ajo kishte lënë një letër në të cilën nuk kishte fajësuar askënd.
“Për atë rast (vetëvrasjen) ia kemi lënë drejtësisë, ka dalë që ka qenë depresion momental. Nuk e kemi akuzu askënd, jemi duke u mbajtë padrejtësisht” – ishte shprehur i akuzuari para Gjykatës.
Prokurorja e rastit, Sahide Gashi, ka thënë se do të ftohen si dëshmitarë persona nga shoqëria e vajzës së vetëvrarë H.M. dhe kolegë të të ndjerit S.Gj., e do të shpalosen shumë prova të tjera.
Ajo kishte thënë se do të vërtetohet gjatë këtij gjykimi për motivet e vrasjes përmes këtyre dëshmive të dëshmitarëve e përmes provave materiale, ku përfshihen skica, kamera të sigurisë e përgjime të bisedave mes të akuzuarve.
Sipas Gashit, municionet që ishin gjetur te familja Mehmetaj kishin përkuar me karakteristikat dhe prejardhjen e armës së gëzhojave që ishin gjetur në vendin e ngjarjes.
Për këto pretendime, avokatja Kosovare Kelmendi në seancën e kaluar kishte thënë se është normale të kenë ngjashmëri me karakteristikat dhe prejardhjen e armëve meqë ato armë ishin që nga koha e pasluftës dhe ishin nga i njëjti prodhues.
Ajo shtoi se ky rast duhet trajtuar me kujdes.
Aktakuza e ngritur nga Prokuroria e Pejës ishte bërë publike përmes një konference nga ky insitucuon në maj të këtij viti, ku u shpalosën detaje mbi veprimet hetimore të ndërmarra.
Ngjarja e ndodhur në Gllogjan ishte konsideruar tronditëse edhe për opinionin publik.Arrestimi i të akuzuarve kishte ndodhur vetëm disa ditë pas ngjarjes së rëndë.
Fillimisht pas arrestimit, prokurorja Gashi kishte kërkuar nga Gjykata e Pejës që të dyshuarve t’u caktohej masa e paraburgimit.
Gjykata e Pejës kishte aprovuar kërkesën e prokurores Gashi dhe kishte caktuar masën e paraburgimit për të tre.
Tutje në janar të vitit 2022 njërit nga të arrestuarit më 11 dhjetor të vitit 2021 i është zëvendësuar masa e paraburgimit me atë të arrestit shtëpiak