Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi i tha Gazetës Express se partia më e vjetër në vend nuk është e fokusuar në formimin e koalicioneve për qeverinë e ardhshme, por pët t’i fituar zgjedhjet e radhës parlamentare.
Gashi tha se nuk e ka parë e dëgjuar deklaratën e zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi, i cili së fundmi tha se LVV-ja me siguri nuk do të bëjë koalicion me LDK-në
S’e kam pa, s’e kam dëgju. Por s’kam çka me komentu bre. Ne nuk jemi të fokusuar për koalicione. Ne jemi të fokusuar për t’i fituar zgjedhjet. Puna jonë është me i fitu zgjedhjet”, tha ai.
Gashi tha se LDK-ja ka bërë sondazhe në Prishtinë dhe në Lipjan, dy komunat me të cilat udhëheq dhe se nga to ka parë rezultate të mira.
“Kemi bërë sondazhe në Prishtinë dhe në Lipjan, sondazhe të fokusume lokale. Dhe në këto komuna LDK-ja qëndron shumë mirë”, tha ai.
Bislimi tha se opozita nuk duhet të brengoset për mbajtjen ose jo të premtimeve nga pushteti. Duke folur për këtë, ai e përmendi kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, ndërsa u shpreh i sigurt se partia e tij s’do të jetë në koalicion me LDK-në në qeverinë e ardhshme.
“Ne e kemi marrë mandatin me qeverisë me Kosovën. Në qoftë se ne gjatë kësaj qeverisje bëjmë diçka të cilën votuesi thotë ‘kjo nuk është në linjën e asaj që na keni premtu neve’, ata na çvotojnë. Por unë kam brengën që më së shumti të brengosur për mbajtjen ose jo të premtimeve tona janë opozita. Ata s’na kanë votu. S’kanë me na votu as në 2025-ën. Lumir Abdixhiku nuk do të votojë për Albin Kurtin, të jeni të sigurt”, tha Bislimi të mërkurën në një intervistë për RTK-në.
“Veç nëse hyni në koalicion bashkë”, i tha gazetarja.
“Edhe kjo të jeni të sigurtë që nuk do të ndodhë”, tha Bislimi.