Duke komentuar lëshimin e urdhër-arrestit të INTERPOL-it kundër ish-nënkryetarit të Listës Serbe dhe bashkëpunëtorit më të afërt të Vuçiqit për çështjen e Kosovës, Prelleviq ka thënë për agjencinë serbe të lajmeve “Beta” se Radoiçiqi mund të jetë dëshmitar shumë i papërshtatshëm për regjimin aktual serb.
Sipas tij, për Serbinë do të ishte problem të mos vepronte me urdhër të INTERPOL-it në momentin kur dihet se kush po e mbron Radoiçiqin në Serbi.
“Millan Radoiçiqi mbrohet dhe ruhet nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Pushteti në mënyrë të ngathët dhe të dëmshme për këtë vend u përpoq të mbrohet nga ngjarjet në Banjskë duke nisur procedurën kundër Radoiçiqit dhe duke e liruar menjëherë. Shtrohet pyetja se kush është përgjegjës për ngjarjet tragjike në Banjskë, sepse Radoiçiqi sigurisht që nuk ka mundur të blejë një sasi aq të madhe armatimi, pajisje ushtarake, madje edhe një automjet luftarak. Radoiçiqit nuk i ka shkuar në mendje që për qejf të tij të organizojë kryengritje në veri të Kosovës”, ka thënë Prelleviq.
Ai ka theksuar se Radoiçiqi nuk është objektivi kryesor i INTERPOL-it.
“Pushteti i Serbisë gjithashtu e di se Radoiçiqi nuk është objektivi kryesor i INTERPOL-it, por ai mund të tregojë objektivin e duhur. Prandaj në Beograd nuk po bëhet asnjë hetim në lidhje me Banjskën. Sikur prokuroria do të bënte punën e saj, do të përfundonte me dëmin kolosal i cili iu bë interesave serbe në Banjskë. Banjska është pikë kthese pas së cilës nuk ka më rezistencë në veri të Kosovës”, ka vlerësuar Prelleviq
Ai ka shtuar se urdhër-arresti i INTERPOL-it ka edhe një konotacion politik.
“Sipas Kushtetutës së Serbisë dhe Rezolutës 1244, është e vështirë të kuptohet bashkëpunimi i Serbisë përmes INTERPOL-it me “territorin e saj” Kosovën, sepse kjo në mënyrë eksplicite do të thotë njohje e pavarësisë së Kosovës. Në anën tjetër, të gjithë deputetët e Listës Serbe u betuan në parlamentin e Kosovës se do të respektojnë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, kështu që para INTERPOL-it, integriteti territorial i Serbisë ishte cenuar në mënyrë drastike nga vet përfaqësuesit e Listës Serbe. Nga pikëpamja politike, veprimi sipas kërkesës së INTERPOL-it do të ishte pranimi i shtetit të Serbisë se Kushtetuta e saj nuk vlen në këtë rast”, ka thënë avokati serb.
Prelleviq pretendon se pushteti i Beogradit as nuk do ta arrestojnë dhe as nuk do ta dorëzojnë Radoiçiqin organeve të Kosovës dhe se për këtë Serbia do të përballet me pasoja të rënda.
“Nuk mund të flitet për një vend me shtet ligjor në rast të mosrespektimit të urdhëresave të INTERPOL-it. Nuk bëhet fjalë vetëm për arrestimin dhe ekstradimin e mundshëm të Radoiçiqit, por edhe për atë se procedura kundër tij nuk zhvillohet në Beograd. Një qëndrim i tillë i regjimit aktual serb dërgon mesazh se është e mundur të krijohet një grup i armatosur në Serbi, për shkak të të cilit shumë njerëz do të vdesin dhe do të plagosen dhe se kjo nuk do të thotë asgjë për qeverinë. Mosveprimi i prokurorisë në rastin Banjskë tregon se nuk ka qenë ide e Radoiçiqit”, ka përfunduar Prelleviq.