Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri sot homazhe te varret e tre veprimtarëve të angazhuar për lirinë e Kosovës: Hyzri Talla, luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Afrim Maliqi – gazetar, eseist dhe poet, si dhe Ilir Durmishi, ushtar i shquar i UÇK-së, me rastin e 25-vjetorit të vrasjes së tyre.
“Për t’i kujtuar këta tre dëshmorë që 25 vite më parë u vranë teksa po e shtronin rrugën e lirisë së Kosovës dhe njëkohshëm po ecnin nëpër të, sot bëmë homazhe në vendin e rënies së tyre, në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë”, tha kryeministri.
Hyzri Talla, Afrim Maliqi dhe Ilir Durmishi ranë dëshmorë për çlirimin e Kosovës, të angazhuar me tërë qenien për lirinë të cilën ne të gjallët dhe brezat e mëpastajmë e jetojmë dhe gëzojmë, shtoi ai.
Gjatë homazheve, kryeministri Kurti gjithashtu takoi familjarë dhe bashkëluftëtarë të Hyzriut, Afrimit dhe Ilirit, që me krenari kujtonin dhe nderonin veprën e tyre.