Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se Kosova është një projekt i përkohshëm, duke iu referuar aspiratës për bashkim me Shqipërinë.
E ndaj kësaj deklarate ka ardhur reagimi nga ana e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Abixhiku përmes një postimi në rrjetin social ka thënë se Kosova është e përhershme dhe se shteti është në duart e mohuesve të vet shtetësisë.
Reagimi i plotë i Abdixhikut:
Ç’të duhen kundërshtarët e jashtëm, kur i ke të brendshmit?
Republika e Kosovës, sot udhëhiqet nga popullistë mosbesues të saj. Fati i projektit më të madh shqiptar, ‘Kosova shtet i pavarur e sovran’ është në duar të mohuesve të vet shtetësisë.
Prandaj betimi mbi Republikë është farsë.
Prandaj shkelja e Kushtetutës bëhet zakonshmëri.
Sepse mosbesimi ndaj Kosovës është bindje.
Këta kanë atdhe të dytë.
Ne kemi vetëm Kosovën.
LDK-ja si formacion i vetëm pavarësist, beson në Republikë. Fëmijët tanë meritojnë të besojnë në Republikë! Në shtetin që prindërit e gjyshërit e tyre nuk e kishin por ua kanë lënë me plot sakrificë. Në shtetin që në vend të mbytjes së ëndrrave e dhënies së pasigurisë u jep shpresën se një ditë do të jenë të barabartë mes popujve e shteteve euroatlantik!
Prandaj dhe zgjedhja juaj është fare e lehtë.
Sepse Kosova është e përhershme./Lajmi.net/