Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se 600 pjesëtarë, rekrutë, do t’i bashkohen Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke filluar nga viti 2024.
Maqedonci informoi se nga numri total sa është 5 mijë i përcaktuar për planin gjithëpërfshirës të tranzicionit, i janë afruar numrit 4 mijë.
“600 qytetarë kanë aplikuar dhe kanë gjysma e tyre kanë përfunduar gjatë fazës së … dhe gjysma aktualisht është duke u trajnuar në FSK. Pra 600 pjesëtarë do t’i kemi në FSK duke filluar nga viti 2024, shtesë, që nënkupton se i afrohemi numrit 4 mijë nën total dhe 5 mijë është numri i përcaktuar për planin gjithëpërfshirës të tranzicionit”, tha ai në emisionin “Five”.
Ndërkohë, ministri ka treguar se në këto dy vitet e fundit janë furnizuar jashtëzakonisht shumë me sisteme të armatimit.
Të njëjtat janë modelet e fundit që nuk gjenden as në rajon.
“Pasur parasysh kërcënimet dhe mbi të gjitha synimin e kryeministrit Kurti për të forcuar aspektin e mbrojtjes dhe sigurisë. Kemi një rritje të buxhetit për armatim. Vazhdojmë të bëjmë blerje strategjike dhe operacionale. Kemi sisteme antitank që janë blerë, sisteme të ndryshme të armatimit, për kundër ajror jemi në bashkëpunim dhe koordinim për blerjen e tyre. Të gjitha sistemet e armatimit janë sistemet e fundit të armatimit që prodhohen, janë modelet e fundit. Kemi sisteme që nuk gjenden as në rajon dhe më gjerë”, tha ai.
Po ashtu, ministri i Mbrojtjes ka theksuar se dronët Bayraktar të blerë së fundmi po vazhdojnë të testohen.
“Çdo pajisje që i kemi marrë i testojmë. Me dronët kemi vazhduar në testimin, mirëmbajtjen dhe operimin me ta. Normalisht nuk kemi pasur nevojë për të operuar, vazhdojmë të testojmë dhe të shikojmë aspektin e funksionalitetit të tyre. Snajperët që posedojmë janë teknika e fundit ushtarake dhe ato që do t’i blejmë janë modelet e fundit të dizajnuara”, shtoi më tej ai.
Çfarë pajisje është duke blerë FSK-ja?
“Po blejmë të gjitha ato sisteme që i kemi planifikuar në planin gjithëpërfshirës të tranziocionit, që nënkupton sisteme të armatimit për këmbësorinë, sisteme të armatimit për mbrojtje kundërtank, sisteme të armatimit të artilerisë pra për qitje në distanca, sisteme të armatimit të mbështetjes ajrore”.
Të gjitha këto bëhen në koordinim me NATO-n, thotë ministri Maqedonci.