FIFA ka publikuar ranglistën e re të ekipeve kombëtare, ku Përfaqësuesja e Kosova ka shënuar ngritje rekord, ndërsa ajo e Shqipërisë ka pasur rënie pas rezultateve jo të mira në muajin nëntor.
Pas ndeshjeve të nëntorit, FIFA ka ardhur me përditësimin e ranglistës së ekipeve kombëtare, ku top dhjetëshja ka mbetur e pandryshuar nga emrat, por jo edhe nga pozitat.
Argjentina vazhdon kryesimin, e ndjekur nga Franca e dyta, Anglia e treti, Belgjika e katërta dhe Brazili e pesta, pasi ka rënë për dy pozita.
Pas tyre vjen Holanda e gjashta duke u ngritur një pozitë, Portugalia bie e shtata, Spanja mbetet e teta, ashtu sikurse Italia e nënta dhe Kroacia që mbyll dhjetëshen.
Pushimi ndërkombëtar i nëntorit ishte deri diku pozitiv edhe për Përfaqësuesen e Kosovës, e cila është ngritur për plotë katër pozita dhe tani janë më lart në renditje se kurrë më parë.
Kosova ka kaluar nga vendi i 105-të në pozitën e 101-të, duke pasur 1202.77 pikë pas fitores ndaj Izraelit, barazimit me Zvicrën dhe humbjes nga Bjellorusia.
Për dallim nga Kosova, kombëtarja e Shqipërisë ka pësuar rënie në renditjen e re të FIFA-s, pas rezultateve jo të mira në muajin nëntor.
Pas barazimeve me Moldavinë dhe Ishujt Farore, Shqipëria ka rënë nga pozita e 59-të në pozitën e 62-të me një total prej 1382.69 pikë. /Telegrafi/