Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se koha prej dy muajsh prej kur ndodhi sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit është e mjaftueshme që të ketë hetim të hollësishëm dhe t’i vendosën sanksione Serbisë.
I pyetur nga KosovaPress për këtë çështje, Kurti tha se ‘nuk mund ta durojmë çfarëdo përsëritje që i ngjan asaj të 24 shtatorit, për këtë arsye duhet të veprojmë tash e jo nesër’.
“Është e domosdoshme që dy muaj pas sulmit në Bansjkë të Zveçanit ku u vra rreshteri është kohë më së e mjaftueshme qe të kemi hetim të hollësishëm dhe konkluzione për këtë akt që cenoi sonvranitetin dhe sigurinë tonë kombëtare. Nuk mund ta durojmë çfarëdo përsëritje që i ngjan asaj të 24 shtatorit për këtë arsye duhet të veprojmë tash e jo nesër”, tha Kurti.
Ndërsa shtoi se në mes të dhjetorit bëhen 8 vjet prej Serbia nuk ka bërë përparim nën kapitullin 35 që dëshmon dëshirën për normalizim të marrëdhënieve.
U përshkrua si një nga incidentet më të rënda ndër vite dhe ndodhi pas disa muajsh tensione të larta midis Kosovës dhe Serbisë.
“Krimi i organizuar me mbështetje politike, financiare e logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në adresimin para gazetarëve më 24 shtator.
Atë ditë, grupe të armatosura sulmuan policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues të nacionalitetit serb.
Një muaj pas, Kurti tha se sulmin “e kreu Klani i Novi Sadit, i udhëhequr nga ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq”.
Zyrtarët kosovarë i quajtën ata “terroristë” dhe thanë se u organizuan nga udhëheqja e shtetit serb.
“Para dy dekadave në Serbi sundonte Klani i Zemunit, kurse tash vendin atij ia ka zënë Klani i Novi Sadit. Kriminelë në luftë, kriminelë në paqe, kriminelë në Serbi, kriminelë në Kosovë”, shkroi Kurti në Facebook më 23 tetor.
Në të njëjtin postim, ai përmendi edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të cilin e quajti “capo-di-tutti-capi” – një term që zakonisht përdoret për të përshkruar udhëheqësin kryesor të një mafie.
Në ditën e sulmit, Policia e Kosovës arrestoi disa sulmues, por shumica prej mbi 80 sish ikën nga vendi i ngjarjes.
Gjatë një muaji hetime e bastisje, ato konfiskuan sasi të mëdha armatimi – nga granatahedhësit deri tek eksplozivët.
Ndërkaq presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq tha se sulmin në Banjskë e kreu një grup i “serbëve të dëshpëruar lokalë” dhe akuzoi Kurtin për, siç u shpreh, “terrorizimin” e serbëve në veri të Kosovës.
Ai mohoi se Serbia ka gisht në ngjarjen në Banjskë dhe tha se do t’i bëjë hetimet e veta.
Ai paralajmëroi, po ashtu, se shteti serb do të ngrejë aktakuzë kundër Millan Radoiçiqit – politikan dhe biznesmen nga Kosova – i cili e pranoi përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur në Banjskë, por mohoi se ka marrë ndonjë ndihmë nga Beogradi.