Të mërkurën rreth orës 15:45, katër persona të maskuar dhe me armë të gjata plaçkitën një argjendari në Suharekë.
Derisa tre prej tyre po i mbushnin çantat, i katërti bënte roje me kallashnikov para hyrjes së dyqanit, shkruan Klan Kosova.
Një patrullë e Policisë së Kosovës që ndodhje më së afri, iu përgjigj rastit duke shkuar te vendi i ngjarjes për ta ndaluar krimin, mirëpo me të arritur, ata hasën në rezistencë të armatosur.
Si pasojë e të shtënave me armë zjarri, dy prej policëve janë lënduar dhe tani ndodhen jashtë rrezikut për jetë.
Sipas drejtorit të Policisë për rajonin e Prizrenit, Faton Alija, katër plaçkitësit janë larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të rrugës që çon nëpër fshatrat e Ferizajt, me një veturë ngjyrë hiri me targa 01 të vjedhura.
Tutje, ai ka treguar se të personat në fjalë i kanë gjuajtur disa pengesa nëpër rrugë për të penguar lëvizjen e qytetarëve apo edhe të policisë.
Malli që këta persona kanë plaçkitur brenda argjendarisë në Suharekë, ka vlerën e afro 250 mijë eurove.
Kështu ka bërë të ditur për Klankosova.tv prokurorja në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, Ervehe Gashi, e cila i është referuar asaj që ka thënë pronari i dyqanit.
Deri në çastin e publikimit të këtij shkrimi, katër plaçkitësit ende ndodhen në arrati dhe përveç kësaj, ende nuk është arritur që të bëhet identifikimi i tyre.
Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve për bashkëpunim në rast se kanë ndonjë informacion që mund të shpijë në identifikimin dhe arrestimin e personave në fjalë.