Gjykata Kushtetuese e ka rrëzuar Ligjin për vendosjen e çmimeve tavan, të miratuar në Kuvendin e Kosovës.
Gjykata Kushtetuese e Republikë së Kosovës e ka shpallur të pranueshme kërkesën e LDK-së të parashtruar në Gjykatë për vlerësimin e Ligjit nr. 08/L-179 për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg.
Gjykata Kushtetuese ka njoftuar se me 7 vota “për” dhe një kundër ka vendosur se paragrafët 2 dhe 4 të Nenit 4 (Produktet Themelore), paragrafi 2 i nenit 5 (Masat e përkohshme mbrojtëse), paragrafët 1, 2, 3, 4, 5, 6 dhe 9 të nenit 8 (Vendimmarrja) dhe paragrafi 2 i nenit 9 (Mbikëqyrja dhe sanksionet) të Ligjit nr. 08/L-179 për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg, nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat], nenin 10 [Ekonomia] dhe paragrafin 5 të nenit 119 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;
“Gjithashtu ka konstatuar, me shtatë (7) vota për dhe një (1) kundër, se neni 10 (Hyrja në fuqi) i Ligjit nr. 08/L-179 për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] dhe paragrafin 1 të nenit 119 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës sëRepublikës së Kosovës;”, thuhet në vendim
Në pikën katër të vendimit, Kushtetuesja ka vendosur të shpallë të pavlefshëm, me shtatë (7) vota për dhe një (1) kundër, në tërësinë e tij, Ligjin nr. 08/L-179 për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg, dhe ka refuzuar njëzëri, kërkesën për masën e përkohshme.