Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismajl Dibrani ka treguar në emisionin “Frontal” në T7 lidhur me shkollimin e të burgosurve në burgjet e Kosovës, shkruan Gazeta Express.
Ai ka treguar se si në Qendrën Korrektuese në Lipjan dhe në Burgun e Dubravës ka mësime të rregullta për të burgosurit.
“Jo gjithë personat që vijnë në burg nuk e kanë të përfunduar shkollimin fillor apo të mesëm. Personat të cilët nuk e kanë të përfunduar shkollimin iu mundësohet. E kemi shkollën brenda burgut të Dubravës dhe brenda burgut të Lipjanit. Në Dubravë kemi rregullisht 20-30 nxënës. Njëjtë është edhe në Qendrën Korrektuese në Lipjan. Tani e kemi siguruar edhe një arsimtar për ata që nuk dinë shkrim lexim. Edhe në këto raste ne jemi angazhuar që t’u mundësomë ligjërata”, ka thënë ai.
Tutje drejtori i burgjeve tha se të burgosurit e Dubravës për vite me radhë dalin nxënësit më të suksesshëm në Testin e Maturës.
“Personat që janë shfrytëzues të benificioneve i kryejnë edhe studimet e nivelit të lartë. Cka është një karakteristikë. Personat që janë në Burgun e Dubravës, ka vite që dalin më të suksesshmit në Testin e Maturës”, ka thënë ai.