Anëtarja e kryesisë së PSD-së në Kosovës Donjeta Demolli e ka cilësuar të turpshme dhe të papranueshme mos pjesëmarrjen e opozitës dhe PDK-së në protestën e sotme kundër kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova.
Në një lidhje me studion e Ditarit në A2 CNN ajo e akuzoi opozitës se ka braktisur kauzat dhe krerët e UÇK-së.
“Është krejt e pakuptueshme sesi janë lënë vetëm, janë braktisur kauza dhe krerët e UÇK-së nga partia që kanë themeluar. Është e pakuptueshme sesi kryeministri dhe pushteti sot kanë deklaruar se nuk do t’i dorëzojnë të akuzuarit në Hagë, deklarata e djeshme ishte që; nuk kemi ç’të bejmë. Kjo po ndodh sepse se dy partive që e kanë lidhur veten me UÇK-në po u leverdis vetëm pushteti mbajtja e pushtetit dhe nuk kanë interes të ndjekin kauzat e drejta si mbrojtja e lirisë dhe luftës së UÇK-së. Është e papranueshme sesi kanë hegjemoni mbi diskursin e sotëm”.
Sipas saj opozita në Kosovë ka rënë në kurthin e kryeministrit Kurti dhe është pasive për kauzat e vendit.
“Lufta për të mbrojtur vlerat e idealet e UÇK-së është një nga kauzat më të denja dhe më të drejta që mund të bëhen sot. Qytetarët e Kosovës janë me ne. Ne kemi mbështetjen e plotë por nuk kemi mbështetjen e partive të tjera opozitare të cilat e kanë infrastrukturën e strukturën për një protestë më të madhe, por kanë rënë në gjumin i cili po sigurohet nga hegjemonia e Kurtit dhe kanë rënë në kurthin e kësaj hegjemonie dhe janë pasiv si në parlament e jashtë tij dhe po i mundësojnë realizmin e të gjitha projekteve të Kurtit dhe sidomos në këtë situatë të brishtë për asociacionin. Krerët e UÇK-së do të ishin kundërshtarë të këtij asociacioni. Të gjithëve u konvenon që po formon Zajednicën”.
Ajo akuzoi kryeministrin Kurti se “është i interesuar që të manipulojë me diskursin dhe ai është një prej faktorëve kryesorë për situatën sot dhe mbrojtjen e pakët të atyre në Hagë”.
Sipas Demollit Trendafilovas ju mundësua siguri e lartë gjatë vizitës në Kosovë, ndërkohë që thekson, se ajo nuk është e mirëpritur, pasi drejton një gjykatë që përndjek krerët e UÇK-së.
“Trendafilova nuk është e mirëseardhur në Kosovë. Ajo drejton një gjykatë që gjykon luftën e drejtë të UÇK-së. Atje janë të gjithë krerët e UÇK, të cilët aktualisht po mbahen të izoluar dhe një varg shkeljesh të ndryshme të të drejtave të njeriut dhe ne nuk mund ta lejojmë kryetaren e kësaj gjykate që të vijë në Kosovë e të bëjë propagandë me këtë gjykatë ku 75 % e dëshmive në këtë gjykatë janë të mbyllura për publikun. Kjo gjykatë ka harxhuar deri tani 350 mijë euro dhe pritet të arrijë në 1 mln euro për pagat e gjykatësve e prokurorëve që nuk po sjellin drejtësi. Trëndafilosvës i është mundësuar mekanizmi mbrojtës sikur të ishte presidente e një prej vendeve më të rëndësishme të botës ka pasur siguri të lartë. Është pritur nga pushteti me të gjitha të mirat e mundshme, jo si një kryetare n je gjykate të padrejtë që përndjek krerët e UÇK-së”.
Gjatë protestës së sotme kundër vizitës së Trendafilovas u arrestuan 6 persona përfshirë edhe kryetarin e PSD-së Dritan Molliqi, ndërsa disa të tjerë mbetën të lënduar përfshirë edhe operatori i A2 CNN Burim Mjeku.
“Janë 6 të arrestuar përfshirë kryetarin Dardan Molliqi. Ata janë në mbajtje 48 orë. Kemi aktivistë të tjerë të lënduar nga gazi lotsjellës nga dhuna e policisë, e cila është totalisht e papranueshme ndaj një aksioni simbolik ndaj një gjykate të padrejtë së cilës i ka humbur legjitimiteti nga veprimet e saj. Kemi aktivistë protestues e gazetarë të lënduar”.