Para dy netësh mori flakë shtëpia më e vjetër në Mitrovicë, e cila ishte nën mbrojtje nga shteti si pjesë e trashëgimisë kulturore.
Veriu.info raportoi ekskluzivisht për ngjarjen e rëndë, ku shtëpia e familjes Koroglu u dëmtua rëndë, ani pse pikërisht atë ditë kishte filluar procesi i restaurimit pas dëmtimeve që i ishin bërë në të kaluarën.
Dyshohet se shkatërrimi i shtëpisë erdhi për shkak të interesave të ndërtuesve për ndërtimin e objekteve banesore në zonën përreth, pasi sipas ligjit nuk mund të ndërtohet në largësi më pak se 50 metra nga objektet që gjenden nën mbrojtje të trashëgimisë kulturore.
Lidhur me rastin është arrestuar pronari i shtëpisë si i dyshuar për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe mbajtje e substancave dhe mbeturinave të rrezikshme.
Arrestimin e pronarit të shtëpisë e ka konfirmuar në një prononcim për Veriu.info zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.
Ai ka thënë se është arrestuar pronari i shtëpisë më të vjetër në Mitrovicë, jo si i dyshuar për zjarrvënie, por si i dyshuar për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe mbajtje të substancave dhe mbeturinave të rrezikshme.
“Lidhur me veprën penale ”Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” të ndodhur më 31 tetor 2023, gjatë hetimeve dhe ekzaminimeve të vendit të ngjarjes, në rrugën “Nexhip Dragaj” në Mitrovicë, ku një shtëpi e pabanuar pjesë e trashëgimisë kulturore ishte përfshirë nga zjarri. Hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve në mbeshtetje të ekspertit të zjarreve gjatë ekzaminimit në katin perdhesë të shtëpisë kanë hasur tridhjet e gjashtë (36) bidon të mbushur të shënjëzuar me shenjën me matrie të rrizkshme-ndezëse. Për largimin e ketyre bidonve janë anagzhaur edhe njësi të specializuara per trajtimin e materive të rrezikshme nga Forca e Sigurisë së Kosoves. Bazuar ne hetimet fillestare, bëhet e ditur se pronari i shtëpisë ishte në dijeni për vendndodhjen e ketyre bidonve ku perkundër zjarrit të shkaktuar, i njëjti nuk kishte njoftuar policinë apo zjarrfikësit. Për të gjitha veprimet e ndërmarra hetimore është njoftuar prokurori, i cili ndaj pronarit të shtëpisë A. K., 76 vjeçar, ka lëshuar aktvendim per ndalim 48 orës, si i dyshuar për veprën penale “Mbajtje e paligjshme e substancave dhe mbeturinave të rrezikshme”. – thuhet në përgjigjen e Zahitit.
Veriu.info mëson se pronari i shtëpisë quhet Adnan Koroglu.
Mësohet po ashtu se pikërisht nga këto substanca ndezëse dyshohet se ka ardhur deri tek zjarri.
Kujtojmë që muaj më parë ishte tentuar të dëmtohet shtëpia me qëllime të këqija.
Vet ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, dje ka deklaruar se ka pasur rezistencë nga ana e familjes për restaurimin e shtëpisë.