Anëtarja e familjes Jashari, Sala Jashari, me rastin e përvjetorit të 111-të të pavarësisë së Shqipërisë, ditëlindjen e komandantit legjendar, Adem Jashari dhe daljen e parë publike të UÇK-së, ka folur mbi këto tri ngjarje të shënuara për kombin shqiptar.
Ajo ka rrëfyer histori të familjes Jashari gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-99 në “Ora Shtatë” në Klan Kosova.
“Unë e kam emrin e gjyshes sime, Sala Jashari, që ndryshe njihet edhe si Tringa e Prekazit ose më saktësisht si një nga mësueset e armëve për shkak që ani pse në kohën e luftës, ka qenë një njohëse shumë e mirë e armëve që Ushtria Çlirimtare i ka përdorur”, tha ajo, njofton Klankosova.tv.
Më tej, ajo bëri të ditur se çdo armë që e ka pasur UÇK-ja në posedim, gjyshja e saj, Sala Jashari, veçse e ka njohur dhe e ka ditë mënyrën se si përdoren.
“Është njohur shumë për guximin dhe trimërinë e saj dhe njëkohësisht i ka përgatitur tre djemtë e saj që të jenë të gatshëm, të luftojnë dhe ta japin jetën për vendin e tyre. Unë e ndjejë një krenari të madhe për shkak që e mbaj emrin e saj”, tha ajo.
Për ta parë rrëfimin e plotë të Sala Jasharit, mund ta ndiqni në videon më poshtë: