Shiu i vazhdueshëm i pranverës së këtij viti ka shkaktuar dëme në disa kultura bujqësore e në veçanti te kultura e patates. Në mesin e bujqve që kanë pësuar është edhe Osman Ibrahimi nga fshati Kçiq i Mitrovicës, i cili tregoi se e gjithë sipërfaqja e të mbjellave është dëmtuar.
Fermeri tha për KosovaPress, se kultivoi mbi 3 hektarë por reshjet e fundit të këtij viti i kanë dëmtuar gati të gjithën. Sipas tij, edhe gjatë kultivimit ka pasur shumë vështirësi.
Ibrahimi thekson se ka shpenzuar shumë për të pasur patate por për këtë vit, sipas tij, nuk do të mund të përfitojë gati asnjë kilogramë. Ndëkrohë, edhe pse thotë se ka paraqitur kërkesë për ndihmë në Ministria e Bujqësisë, ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje.
Ibrahimi theksoi se uji i tepërt në tokat e mbjella me patate i ka shkatërruar dhe sipas llogaritjeve të çmimit të patates, rreth 40 mijë euro ka pësuar humbje për këtë vit.
“Në analizat e viteve të tjera e di që në konotacion thellësia e arave është 200 metra me qëllim me ditë se sa i qetë tre hektarë, unë e kam bërë një matje, një rend i qet 500 kilogramë, tani më po shihet asnjë nuk e ka, e ka shkatërruar uji, se patatja është e ndjeshme, mund të them minimumi, nuk dua të tejkaloj më shumë. Tek ne minimumi 30 ton patate 3 hektarë e 35 ari, e kam llogaritur nga 100 ton kush ka dëshirë me llogaritë humbjen tonë, le të llogaritë në treg sa shkon 100 ton x 40 cent bëjnë 40 mijë euro, për shembull nëse 50 cent, 50 mijë euro sa të shkon në treg aq humbje kemi. Do të thotë këtu është një matje e thjesht”, shtoi Ibrahimi./KP