Trajneri kosovar, Bekim Shotani është deklaruar pas ndeshjes së humbur të Kosovës ndaj Rumanisë.
Shotani tha se dështimi në këto kualifikuese është një sinjal i qartë i nevojës për reforma të thella tek kombëtarja, duke nisur nga menaxhmenti, pastaj tek selektori, e deri tek largimi i 70% të futbollistëve aktual.
“Duhet ndryshim i menjëhershëm tek menaxhmenti i kombëtares, pastaj edhe ardhja e një selektori të ri. Duhet t’i largojmë 70% të futbollistëve që janë sot në Kombëtare”, tha fillimisht Shotani për ‘GazetaBlic‘.
Tutje, ai tha se duhet të mbahet një takim urgjent në selinë e FFK-së, për të diskutuar një plan i cili do të siguronte një të ardhme më të mirë.
“Nevojitët një takim urgjent në selinë e FFK-së mes bordit, shtabit teknik dhe lojtarëve, atje ku do të diskutohej një plan 2023-2028. Duhet të planifikohet që në vitin 2028, Kombëtarja të bazohet tek gjeneratat U17, U19, U21, si dhe tek grupi prej 30% i atyre që do të mbeten nga futbollistët aktualë.
Ky do të ishte formati për një planifikim 5-vjeçar dhe me objektiva të qarta që të kemi sukses 100% për kualifikimet e ardhshme për Evropian dhe Botëror”, përfundoi Shotani.