Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka bërë homazhe për nder të rënies së dëshmorëve Xhevë dhe Fehmi Lladrovci.
Në fjalën e tij, Konjufca tha se “çifti simbol i rezistencës dhe luftës për liri ranë së bashku me shumë luftëtarë të tjerë më 22 shtator të vitit 1998 në qëndresën legjendare në Qyqavicë”.
“Ata u bënë frymëzim për luftën qëndrestare e heroike të UÇK-së. Brigada 114 e UÇK-së, që drejtohej nga Fehmi Lladrovci, mori një emblemë shtesë, emblemën e komandantit të saj. Aktiviteti i Xhevë dhe Fehmi Lladrovcit para e gjatë luftës për liri ashtu si dhe rënia e tyre në front, shënon idealet më të larta të popullit shqiptar në Kosovë. Rrëfimi për jetën dhe vdekjen e tyre është një epos lirie”, tha Konjufca.
“Mirënjohje përjetë, lavdi dëshmorëve të kombit, lavdi Xhevë e Fehmi Lladrovcit”, përfundoi ai.