Qendra mësimore me bazë në komunitet në fshatin Prelluzhë është një shembull frymëzues i përkushtimit të Komunës së Vushtrrisë ndaj arsimit dhe zhvillimit të komunitetit.
Përmes mbështetjes së ofruar nga Komuna e Vushtrrisë, ky projekt ka ndikuar në mënyrë thelbësore në jetën e më shumë se 45 fëmijëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian (REA).
Këtë qendër arsimore në Prelluzhë e ka vizituar edhe drejtori i Arsimit në Komunën e Vushtrrisë, Dardan Abazi, i cili ka parë nga afër punën që po bëhet aty.
“Çfarë është bërë këtu është më shumë se thjesht një qendër mësimore. Është një investim në të ardhmen e këtyre fëmijëve dhe në përmirësimin e komunitetit në tërësi. Rritja e pjesëmarrjes në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët është një hap i madh drejt një shoqërie më të zellshme dhe të informuar.Por ajo që bën këtë projekt akoma më frymëzues është që po ndikon edhe në rritjen e pjesëmarrjes në arsimin e mesëm të lartë. Kjo është një shans i jashtëzakonshëm për të rinjtë e këtij komuniteti për të zhvilluar potencialin e tyre dhe për të ndërtuar një të ardhme më të ndritshme”, thuhet në një njoftim të kësaj qendre.
Ata kanë thënë se të tjerët, “le të marrim shembull nga Komuna e Vushtrrisë, e cila ka treguar se kur ekziston vullneti, gjithmonë gjen zgjidhje për të mbështetur qendrat mësimore. Këto përpjekje janë frymëzuese dhe na kujtojnë se së bashku mund të ndryshojm jetët e fëmijëve dhe të rinjve.Le të vazhdojmë të përkrahim dhe të frymëzojmë projekte të tilla që promovojnë arsimin dhe zhvillimin e komuniteteve tona. Së bashku, mund të bëjmë ndryshime të mëdha në botë!”.