Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit shqiptar Edi Rama, i cili ka thënë se “KFOR duhet të marrë nën kontroll veriun e Kosovës”.
Haxhiu, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “tre muaj më parë, saktësisht me 19 qershor, këtë qëndrim të tanishëm Kryeministri Rama e thoshte me brengë, si diçka që ka rrezik se mund të ngjajë, e jo si diç që duhet të bëhet!”.
“ Në fakt, kjo kërkesë e re e tij nga një brengë e vjetër që besonim se e kishte është veçse kërkesë e stërvjetruar e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq”, ka shkruar Haxhiu.
“Kosova është Republikë e pavarur dhe sovrane. Mbikqyrja ndërkombëtare e pavarësisë ka përfunduar më 10 shtator 2012. Në veri të Kosovës, terroristët dhe kriminelët nga Serbia vranë rreshterin e Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku në pritë në ora 3 pasmesnate të dielen që shkoi. Gjatë luftimeve të më pastajme, ata nuk kishin kurrfarë shansi me Policinë e Kosovës. Së paku tre terroristë u vranë, kurse të tjerët ose janë arrestuar (gjashtë sosh) ose janë në ndjekje (sepse janë në ikje). Nuk ka nevojë që KFOR-i ta marrë nën kontroll veriun e Kosovës. Ajo që nevojitet janë patrullimet e përbashkëta të Policisë së Kosovës me KFOR-in përgjatë kufirit me Serbinë, sepse prej andej vjen armatimi, municioni dhe mercenarët që duan luftë”, ka shkruar ajo.