Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas ultimatumit të Bashkimi Evropian, i cili përmes një deklarate të shefit të politikës së Jashtme Josep Borell i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të marrin masa menjëherë për të ulur tensionet, duke paralajmëruar se nëse nuk e bëjnë një gjë të tillë do të ketë pasoja negative për të dyja palët.
“Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që menjëherë dhe pa kushte të marrin masa për të shtensionuar situatën, t’i japin fund retorikës përçarëse dhe të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm i pa bashkërenduar. Qetësia duhet të rivendoset urgjentisht. Bashkimi Evropian është i gatshëm të zbatojë masa të vendosura. Dështimi për të ulur tensionet do të çojë në pasoja negative”, thuhej në deklaratën e Borell në emër të vendeve të bllokut.
Kjo deklaratë është shpërndarë nga kryeministri Rama i cili mbështet qëndrimin e BE. Sipas Ramës BE-ja nuk mund të ishte më e qartë ndaj i bën thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zgjidhin konfliktin përpara se Brukseli të ndërmarra masa drastike ndaj tyre. Kreu i qeverisë shqiptare shton se pasoja nëse palët nuk do të zbatojnë kërkesat, do të ishte e vetë-shkaktuar.
“BE-ja nuk mund të ishte më e qartë! Vazhdimi me këtë mosplan absurd duke vendosur policinë për të mbrojtur ndërtesat boshe ku zyrtarët e zgjedhur nuk mund të hyjnë, dhe nga ana tjetër, vendosja e trupave të ushtrisë për të kënduar në kufirin e një vendi tjetër nuk mund të ishte më vetëshkakuese dhe më pak evropiane.”, shkruan Rama