Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, është pritur sot në takim nga presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.
Osmani pritet ta ketë një takim bilateral me Metsolan përpara adresimit që do ta bëjë përpara deputetëve të Parlamentit Evropian.
Vizita e presidentes Osmani ishte caktuar para më shumë se një muaj dhe zhvillohet në një situatë kur raportet e Kosovës me Bashkimin Evropian janë në një fazë të vështirë.
Bashkimi Evropian e konsideron Kosovën përgjegjëse për nxitjen e tensioneve në pjesën veriore të vendit dhe për mospërfillje të kërkesave për ndërmarrjen e hapave për uljen e këtyre tensioneve.
Si pasojë, kabineti i përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrel, ka përgatitur dhe i ka ndarë me shtetet anëtare disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës.
Parlamenti Evropian e ka mbështetur Kosovën prej kur ajo kishte shpallur pavarësinë.