Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu ka reaguar pas raportimeve se është ndaluar nga KFOR-i për të vizituar kryetarin e komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemin. Ai ka thënë se është udhëzuar nga policia e Kosovës të mos vazhdohet më tutje.
Sipas Aliut, lajmi është i pavërtetë dhe KFOR-i i ka ofruar siguri, por policia me qëllim të shmangies së tensioneve nga protestuesit i kanë thënë të mos vazhdohet më tutje.
“Lajmet se KFOR-i, më ka ndaluar që ta takoj Kryetarin e Komunës së Leposaviqit, z. Lulzim Hetemi, janë të pavërteta. Përkundrazi, KFOR-i na kanë ofruar siguri, me një njësit të tyre që e kanë dërguar pikërisht për këtë qëllim.”
“Në fakt, ka qenë udhëzimi i Policisë së Kosovës që mos të vazhdojmë më tutje, me qëllim që të shmangim tensionimin e situatës nga bandat kriminale që silleshin përreth.”, shkruan Aliu.
Ai më tutje ka thënë se kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi po bën “qëndresë shembullore për Republikë, rend e ligj”.
“Spekulimet e tilla, i’u shkojnë për shtati vetëm bandave që janë të instaluara aty, njëherit këto lajme të pavërteta po ashtu po e zhvlerësojnë punën e palodhshme dhe profesionale që Policia e Kosovës po e bën atje. E falënderoj Kryetarin Lulzim Hetemi, për qëndresën e tij shembullore për Republikë, rend e ligj.”, ka shkruar Aliu.
Ndryshe, të premtën është raportuar se Aliu nuk është lejuar nga KFOR-i të vizitojë kryetarin e komunës së Leposaviqit. /Paparaci.com/