I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe ai i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, do ta vizitojnë sot Kosovën, me ç’rast do të takohen me krerët shtetëror.
Kjo vizitë po zhvillohet në një kohë kur situata në veri të Kosovës mbetet ende e tensionuar për shkak të protestave dhe numrit të shtuar të forcave të rendit dhe ligjit në, njofton Klan Kosova.
Escobar dhe Lajçak pritet ta vizitojnë edhe veriun e vendit. Pas vizitës në Kosovë, ata do ta vizitojnë edhe Beogradin.
BE-ja përmes një deklarate ka kërkuar që sa më parë të shpallen zgjedhjet e parakohshme në të katër komunat dhe të organizohen në mënyrë plotësisht gjithëpërfshirëse.
“Bashkimi Evropian është i gatshëm të zbatojë masa të vendosura. Dështimi për të de-përshkallëzuar tensionet do të çojë në pasoja negative.
Presim që Kosova të veprojë në mënyrë jo de-përshkallëzuese dhe të pezullojë menjëherë operacionet policore në afërsi të ndërtesave komunale në veri të Kosovës.
Kryetarët e komunave duhet t’i kryejnë përkohësisht detyrat e tyre në objekte të tjera përveç ndërtesave komunale. Zgjedhjet e parakohshme duhet të shpallen sa më shpejt në të katër komunat dhe të organizohen në mënyrë plotësisht gjithëpërfshirëse. Presim që serbët e Kosovës të marrin pjesë në këto zgjedhje. Ne shprehim shqetësimin për gjendjen e gatishmërisë më të lartë të Forcave të Armatosura Serbe. Bashkimi Evropian pret që Kosova dhe Serbia të veprojnë me përgjegjësi dhe të angazhohen menjëherë në Dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për situatën në veri të Kosovës që garanton mbrojtje, siguri dhe demokraci me pjesëmarrëse për të gjithë qytetarët, dhe hap rrugën për zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksit të saj.
Kjo përfshin fillimin pa ndonjë vonesë apo parakusht të mëtejshëm të punës për themelimin e Asociacionit së Komunave me Shumicë Serbe”, thuhet në deklaratën e BE-së.