Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka konfirmuar se ky bllok në linjë me 27 vende anëtare kanë përgatitur propozime për masa ndaj Kosovës, pas eskalimit të situatës në veri dhe siç u tha, “dështimit” të kryeministrit Albin Kurti që të ndërmarrë hapa drejt kësaj.
Stano në një konferencë për media, fillimisht ka qartësuar se këto nuk janë sanksione, por masa.
“Dua të qartësoj një gjë. S’ka sanksione. BE-ja vendos sanksione, si shkak i masave të definuara nga shtetet anëtare, pas një procesi të gjatë e diskutimeve. Nuk ka sanskione ndaj Kosovës. Për shkak të situatës këto javë, 27 shtete anëtare të BE-së kanë thënë që presin, kërkesë e qartë, për Kosovën dhe Serbinë që të deeskalojnë situatën, sidomos situate në veri që erdhi si shkak i zgjedhjeve.” – ka thënë ai.
Zëdhënësi evropian tutje deklaroi se plani pesë pikësh i propozuar nga kryeministrit Kurti dështon që t’i adresojë në mënyrë adekuate problemet që dolën nga kriza.
“Pavarësisht thirrjeve tona, kryeministri Kurti ka dështuar të ndërmarrë hapa dhe aksione për të deeskaluar, plani i tij pesë pikësh dështon që të adresojë në menyrë adekuate problemet qe shkaktuan e që janë rrënjet e krizës… dhe për të cilat presim qe t’i adresojë.” – tha Stano.
Dhe këtu, Stano e konfirmoi se kanë përgatitur propozime për masa me efekt të menjëhershëm,duke përmendur se kanë të bëjnë me pasoja financiare dhe politike.
“Bashkimi Evropian në linjë me 27 vende anëtare ka përgatitur propozime për masa me efekt të menjëhershëm. Këto nuk janë sanksione, këto janë masa që merren me efekt të menjëhershëm. Ne presim ende nga kryeministri Kurti që nevojiten për deeskalim të menjëhershëm. Këto masa kanë të bëjnë me pasoja financiare e poitike. Suspendim i vizitave të nivelit të lartë, dhe bashkëpunimit tonë financiar me Kosovën. Këto janë të përkohshëm dhe të kthyeshme.” – tha ai.
Ndërkohë, në një prononcim për Nacionalen, Stano dje përmendi edhe zhvillimet e fundit në veri, duke thënë se “eskalimi po vazhdon ende”.
“Zhvillimet e fundit në veri të Kosovës vetëm sa dëshmojnë se përshkallëzimi ende vazhdon, dhe kjo është në kundërshtim me interesin e Kosovës dhe të gjithë popullit në Kosovë. Ne ndamë me shtetet anëtare të BE-së një përmbledhje të masave që duhen marrë, nëse kryeministri Kurti nuk ndërmerr hapat adekuat dhe të menjëhershëm për të shtensionuar situatën dhe për të ulur tensionet.” – theksoi Stano, i cili deklaroi se Borrell është në kontakt të vazhdueshëm me liderët në regjion dhe me ata të shteteve anëtare të BE-së.
Qeveria Kurti / Kurti tregon një propozim që e dha te Borrelli, nuk lëviz nga pozicionet e tij
5 pikat e Kurtit, që BE po i quan dështim
Dje në mëngjes edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti takoi ambasadorët e QUINT-it. Dhe…pas përfundimit të këtij takimi, ai konfirmoi se ka bërë një propozim me pesë pika për deeskalimin e situatës në veri:
Hapi 1: Sundim i ligjit në 4 komunat në veri të Kosovës. Situata nuk është normale për një kohë të gjatë, por eskalimi më 29 maj e bën urgjent sjelljen para drejtësisë të të gjithë atyre që ushtruan dhunë ndaj ushtarëve të KFOR-it, gazetarëve e Policisë së Kosovës. Identifikimi, ndjekjen penale të të gjitha grupeve që kanë sulmuar KFOR-in, Policinë dhe gazetarët. EULEX-i të monitorojë situatën.
Hapi 2: Grupet e dhunshme tërhiqen nga Kosova. Bazuar në parimin e proporcionalitetit Policia e Kosovës do të tërhiqet nga objektet e komunave në veri.
Hapi 3: Policia e Kosovës, EULEX dhe KFOR-i do të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë çdo 15 ditë.
Hapi 4: Qeveria e Kosovës koordinohet dhe shpallë zgjedhje të parakohshme në 4 komunat në veri. Zgjedhjet të organizohen në një atmosferë zgjedhje të lirë, liberale.
Hapi 5: Kosova dhe Serbia kthehen në dialog, dhe Brukseli harton një plan për zbatimin e marrëveshjeve. Udhëheqësit takohen në Bruksel gjatë kësaj jave.