Komuna e Vushtrrisë ka shënuar sot 24 vjetorin e çlirimit, ku fillimisht janë bërë homazhe në nderim të të rënëve për liri.
Më pas në një akademi solemne janë nderuar personalitete të shquara vushtrriase, po ashtu u bë ndarja e çmimeve “Nderi i Qytetit” dhe “Emblema e Vushtrrisë”, shkruan “Vushtrria Press”.
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, i ka uruar qytetarët për këtë ditë të rëndësishme, derisa tha se më meritorët që sot festohet janë ata që dhanë jetën për liri të vendit.
Siç shkruan “Vushtrria Press” sot në Vushtrri, ishte edhe deputetja Blerta Deliu, e cila ka vlerësuar lartë kryetarin Idrizi.
“Me Kimeten, bashkëshorten e heroit Ilaz Kodra, sot, në Vushtrri, në përvjetorin e Ditës së Çlirimit të këtij qyteti – i cili çdo ditë e më shumë po përparon nën udhëheqjen e Kryetarit të urtë, Ferit Idrizi”, ka shkruar ajo.
Deputetja Deliu ishte e pranishme sot edhe në 100 vjetorin e klubit të futbollit Vushtrria.