Kuvendi Komunal në Vushtrri sot me propozimin e asambleistit Ilmi Azemi ka votuar dhe ndarë Mirënjohje për kontributin e dhënë, veteranit të UÇK-së dhe të arsimit Avdi Gela.
Avdi Gela nga fshati Mihaliq rrjedh nga një familje bujare e përparimtare, familje luftëtarësh për liri brez pas brezi. Ai punoi mësues-mësimdhënës e pedagog, drejtues në institucione arsimore.
Në vitet 1998 Avdiu iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kundër forcave okupatore serbe përkrah shumë luftëtarëve – familjarëve, nipa e kushërinj dhe luftëtarëve nga gjithë Kosova e trevat tjera shqiptare.
Ortakollit dhe Vushtrrisë i dha shumë duke edukuar e përcjellur shumë breza, u rikthye në arsim pas luftës Çlirimtare, ku për rreth 45 vjet dha kontribut profesional e akademik për shkollimin shqip në Kosovë, duke kryer punë shembullore dhe vënë themele në rimëkëmbjen e sektorit të arsimit në nivel komune.
Avdiu dhe familja Gela gëzon respekt të jashtëzakonshem në Mihaliq-Ortakoll-Vushtrri e në viset shqiptare.