Gjashtë qytete të Kosovës, Prishtina, Ferizaj, Vushtrria, Gjilani, Gjakova dhe Mitrovica, gjashtë salla teatrash, një fundvit për tu mbajtur mend me këngëtarin Shpat Deda dhe koncertin ‘Muzikë n’Teatër’, raporton VushtrriaPress.
Këngëtari Shpat Deda vjen me një turne koncertesh bashkë me mjeshtrin dhe multi-instrumentistin Visar Kuçi dhe muzikantin & producentin e njohur Tomor Kuçi me një format krejtësisht të ri për ta sjellë poezinë e gërshetuar me një udhëtim të paharrueshëm muzikor për herë të parë në Kosovë. Aranzhuar enkas për këtë turne mes fizharmonikës, violinës, kitarave dhe zërit, këngët e albumit ‘Rrugës’ marrin jetë të re në një spektakël muzikor të karakterizuar nga udhëtimi poetik nëpër fjalë e tinguj.
Siç raporton VushtrriaPress, koncertet e këngëtarit Dedaj mbahen më 5 DHJETOR – Amfiteatri i Teatrit Kombëtar të Kosovës (Pallati i Rinisë), Prishtinë, 6 DHJETOR – Teatri ‘Adriana’, Ferizaj, 12 DHJETOR – Teatri i Qytetit ‘Hadi Shehu’, Gjakovë, 13 DHJETOR – Teatri i Qytetit ‘Muharrem Qena’, Mitrovicë, 14 DHJETOR- Teatri i Qytetit, Vushtrri dhe 16 DHJETOR – Teatri i Qytetit, Gjilan.
Të gjitha koncertet do të fillojnë në ora 20:00 dhe hyrja në secilin qytet do të jetë 3€. Biletat do të mund të blehen pranë teatrove përkatës afër datave të koncerteve.
Turneu ‘Muzikë n’Teatër’ është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë, ndërsa koncerti i Prishtinës është përkrahur nga Komuna e Prishtinës.