Ministri për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq, i ka kërkuar kryeministrit Albin Kurti ndihmë për lirimin e këshilltares së tij, Rada Trajkoviq, e cila po mbahet në pikën kufitare të Merdarës nga ana e BIA-s serbe.
Këtë kërkesë, Rashiqi e bëri në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës.
Ai tregoi se si dje, Trajkoviqi ishte ndaluar për 4 orë në Merdarë teksa po kthehej nga Beogradi për në Prishtinë, raporton Klankosova.tv.
Pas lirimit, ajo erdhi në Prishtinë për t’u takuar me ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier, ndërsa sërish ia mësyu Beogradit.
Edhe kësaj radhe, ajo u ndalua pikërisht nga policia serbe në pikën kufitare të Merdarës.
Sipas Rashiqit, ajo vuan nga diabeti ndërsa po qëndron nën masën e ndalimit tash e 15 orë.
Ministri është shprehur i shqetësuar për gjendjen shëndetësore të Trajokiviqit.
“Me vjen keq për Trajkoviqin, është një grua me moral të lartë, ajo i ka ndihmuar shumë njerëzve dhe dëshiroj të ju lus nëse është e mundur qysh sot nga kabineti të dërgoni një shkresë QUINT-it që të bisedojnë më Beogradin sepse jam i brengosur për shkak të gjendjes së saj shëndetësore”, deklaroi Rashiqi.
Kryeministri Kurti i është përgjigjur ministrit se gjatë ditës do të gjejnë një zgjidhje.
Vetë Trajkoviqi tha për mediat gjatë ditës së sotme se Rashiqi është nisur për në Merdarë për t’i dërguar asaj ilaçe. /Klankosova.tv