Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka ftuar sot në një mbledhje të përbashkët Kryesinë dhe Grupin Parlamentar të PDK-së për të diskutuar për zhvillimet e fundit në vend.
Në njoftimin e lëshuar thuhet se Krasniqi e ka ripërsëritur qëndrimin e PDK-së dhe pesë pikat që duhet të jenë shtyllat kryesore për arritjen e një marrëveshje finale me Serbinë.
“1. Ruajtja e karakterit unitar të shtetit tonë sipas rregullimit aktual kushtetues, 2. Njohja formale nga pesë shtetet mosnjohëse të BE-së, 3. Nisjen e procesit të anëtarësimit në NATO përmes pjesëmarrjes në partneritetin për paqe si hap i parë, 4. Marrjen e statusit të shtetit kandidat për anëtarësim në BE dhe 5. Njohjen e ndërsjellë në mes të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Krasniqi.
Në njoftim tutje thuhet se në lidhje me situatën në pjesën veriore të Kosovës, në këtë takim u konstatua se vendosja e barrikadave nga bandat kriminale, të orkestruara nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, dhe thirrjet e tij luftënxitëse, janë alarm për qytetarët, shtetin e Kosovës, por edhe për bashkësinë ndërkombëtare.
“PDK fton Bashkësinë ndërkombëtare që në mënyrë të prerë jo vetëm ta dënojë propagandën e Presidentit dhe shtetit serb, por të marrë hapa konkret që Serbinë ta shkëpusë nga këto tendenca dhe iluzione pushtuese. Territori i Republikës së Kosovës është një dhe i paprekshëm. Nuk mundet dhe nuk do të ketë krijim të një realiteti të ri në pjesën veriore të Kosovës”.
“Partia Demokratike e Kosovës vlerëson se normalizimi i kësaj gjendjeje të jashtëzakonshme të krijuar në pjesën veriore të Kosovës nuk mund të tolerohet. Barrikadat nuk guxojnë të kthehen në përditshmëri të re. Heshtja, injorimi dhe qëndrimi në vend nuk duhet të jetë zgjidhje për Qeverinë. Kompromiset e mëtutjeshme, jo e jo”.
“PDK vlerëson lartë rolin dhe kontributin e KFOR-it dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare për të ruajtur paqen dhe sigurinë në Kosovë, por, megjithatë, në situatën aktuale, reagimi institucional shtetëror, konform ligjeve dhe kushtetutës tonë, është i pazëvendësueshëm”, thuhet në njoftim.