Xherdan Shaqiri ishte lojtari më i kërkuar nga tifozët zviceranë që dolën në aeroportin e Zurichit për ta përshëndetur ekipin kombëtar helvet pas rikthimit nga Katari. Futbollisti shqiptar u vërshua me shumë autografe, fotografi dhe përqafime.
Humbja e thellë 6:1 ndaj Portugalisë bëri që Zvicra të mos mund të prekte fazën e çerekfinales. Humbje e dhimbshme për tifozët helvetë, por që nuk i bënë ata assesi t’i harrojnë beniaminët e tyre për tërë emocionet që ua dhuruan gjatë fazës së grupeve, kur ekipi i udhëhequr nga Yakim u kualifikua me një dramë të vërtetë.
Në të gjithë këtë rrugëtim Xherdan Shaqiri ishte njëri prej lojtarëve më protagonistë. Ai dhuroi asistin kryesor për fitoren e rëndësishme ndaj Kamerunit me rezultat 1:0 dhe hapi llogarinë e golave kundër Serbisë në ndeshjen “finale” për ta siguruar kualifikimin në fazën e eliminimit direkt.
Për këtë arsye atij iu rezervua një pritje e veçantë sot në aeroportin e Zurichit, me të aderuar kombëtarja në vendin amë. Xherdan Shaqiri u vërshua me shumë tifozë që e kërkonin për të bërë autografe, fotografi dhe për ta uruar për tërë paraqitjet e tij të mira që dëshmoi (VIDEO).
Edhe trajneri turk Yakim dje në konferencë për shtyp shprehi admirim për nivelin e paraqitjeve që ka treguar ylli shqiptar gjatë kësaj Kupe të Botës.
“Ishte në pikëpyetje (ardhja e tij). Ai kishte pesë javë pa luajtur ndeshje para fillimit të Kupës së Botës. Por unë nuk isha i merakosur. Ai ishte shumë i rëndësishëm për mua. Ai kishte çaste përcaktuese. Ai luajti 90 minuta në miqësoren me Ganën. Nuk u vërejt fare që nuk kishte luajtur pesë javë”, tha Yakin i pyetur për paraqitjet e Shaqirit në këtë Botëror.
Dy ditë pasi pësoi humbje me debakël ndaj Portugalisë, Zvicra u rikthye nga Katari. Aty nuk u pa Granit Xhaka, pasi i njëjti ka shprehur vullnet që të udhëtojë menjëherë në drejtim të Dubait, për t’iu bashkuar kështu pjesës tjetër të lojtarëve të Arsenalit në përgatitjet për vazhdimin e sezonit në Premierligë.
“Sigurisht, emocionalisht nuk është e lehtë. Por kjo është pjesë e biznesit tonë, pjesë e futbollit”, tha Xhaka pas humbjes nga Portugalia për Evening Standard.
“Duhet të rikuperoheni mirë. Premierliga është duke pritur dhe, natyrisht, doja të isha këtu më gjatë se kaq. Por ne e humbëm ndeshjen dhe jam i lumtur që kthehem tani me ekipin”, shtoi ai.
Ai dëshiroi të saktësojë edhe arsyen që e shtyri atë që të mos rikthehej në Zvicër, por të vendoste të vihej në dispozicion të Mikel Artetas.
“Kam diçka për të arritur atje dhe e di që skuadra është në Dubai për momentin duke bërë para-sezonin.Unë po fluturoj përsëri në Dubai, do të kthehem te ekipi, do të kthehem në stërvitje dhe do të përpiqem të harroj turneun tani”, u shpreh ai.
Granit Xhaka po ashtu ishte prej lojtarëve më të spikatur nga kombëtarja zvicerane në Kupën e Botës. Ai ishte arkitekti dhe shtylla e mesfushës, duke bërë që të transmetonte shumë nga personaliteti dhe profesionalizmi i tij edhe te pjesa tjetër e skuadrës.
Megjithatë, tani misioni i tij do të jetë ai i triumfit në Premierligë me Arsenalin, pasi siç dihet “Topçinjtë” kryesojnë në tabelë me +5 pikë ndaj Manchester Cityt, që është edhe ndjekësi kryesor.