Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë në festën e fundvitit të organizuar nga fondacioni gjerman Help-Hilfe zur Selbsthilfe, i cili që nga viti 2015 ka zbatuar projekte të ndryshme të punësimit në vend.
Siç thuhet në një komunikatë për media, Kurti tha se trajnimi profesional është pjesë themelore e reformave që po ndërmerr Qeveria në edukim dhe punësim.
“Jemi të lumtur që si qeveria e parë që e ka prioritet aftësimin dhe edukimin profesional, këtë vit shkollor tashmë kemi filluar pilotimin e pesë programeve të trajnimit në fushën muratorisë, teknologjisë së informacionit, turizmit dhe mikpritjes, floktarisë dhe kuzhinës”, u shpreh kryeministri.
Ai e vlerësoi edhe punën e HELP në mbështetje të personave me sindromën Down, duke shtuar se pavarësisht se Qeveria e ka deklaruar këtë vit si Vit i Personave me Aftësi të Kufizuara, gjithmonë mund të bëhet më shumë për t’i fuqizuar më shumë ata që të kanë nevojë me qëllim përfshirjen e plotë dhe si të barabartë në shoqërinë tonë, thuhet tutje në komunikatë.