Artan Behrami, Ish-këshilltari i ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka përgenjeshtruar shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borell, i cili gjatë fjalimit të tij mori një shembull nga Kosova, derisa po fliste në Forumin për të Drejtat e Njeriut në Bruksel. Ai tha se BE-ja formon mekanizma të veçantë për të vënë drejtësinë për vendet që dalin nga konfliktet.
Këtu Borrell përmendi ish-presidentin Thaçi, për të cilin tha se u arrestua nga policia e tyre, EULEX dhe u dërgua për t’u gjykuar.
“Gënjeshtrat skandaloze të Borrellit e vërtetojnë politizimin e procesit gjyqësor kundër ish-krerëve të UÇK-së. Fillimisht, presidenti Thaçi ka dhënë dorëheqje si President i Republikës së Kosovës për t’u përballur me akuzat kundër tij. Ai asnjëherë nuk është arrestuar, por është vetëdorëzuar! Pra, është vetëdorëzuar, pasi ka dhënë dorëheqje”, shkroi Behrami.
Ai tha se Borell gjithashtu ka gabuar vendin se ku po mbahet Thaçi, pasi që Borell gjatë fjalës së tij deklaroi se ish-Presidenti i Kosovës është duke u mbajtur në Amsterdam.
“Ai nuk është duke u mbajtur në Amsterdam, por në Sheveningen të Hagës. Por, sa për dijeni të z. Borrell, Dhomat e Specializuara nuk janë mekanizëm i BE-së, por i Kosovës. Ndoshta ai e ka pasur fjalën për Prokurorinë, e cila është shndërruar në mekanizëm të BE-së për shantazh ndaj Kosovës dhe për ndryshim të historinë së Kosovës. Ligjërisht, as Prokuroria nuk është mekanizim i BE-së, por praktikisht po.
Deklaratat e Borrellit e dëshmojnë dhe një herë politizimin e skajshëm të procesit gjyqësor, me të cilin po mundohen të krijojnë një balancë artificiale ndërmjet viktimave dhe agresorit”, tha Behrami.